A ngacmohen nishanët? Përgjigjet Dr. Silva
"Jam 30 vjeçe dhe krejt papritur, në shtatzëni, pak muaj më parë m'u rritën nishanët që kam në trup. I kam në pjesë të dukshme të kurrizit, i kam bezdi sidomos për pjesën estetike, nëse dua të vesh fustan apo bluzë të hapur në pjesën e shpinës. A mund t`i heq dhe sa rrezik kam?"
Nishanet ekzistues para shtatzënisë kanë tendencën të rriten në përmasa dhe të bëhen më të errët në ngjyrë gjatë periudhës së shtatzanisë si pasojë e ndikimit të ndryshimeve hormonale të organizmit edhe në prodhimin e pigmentit. Pjesa më e madhe e këtyre ndryshimeve janë të parrezikshme dhe rikthehen në gjendjen e mëparshme pas lindjes së fëmijës. Por kjo nuk do të thotë të mos i drejtoheni mjekut dermatolog pasi disa nishane mund të kenë qenë të çrregullt ose patologjik para shtatzënisë, por thjesht nuk ju kanë rënë në sy juve, ndërsa me zmadhimin e përmasave ju shqetësojnë estetikisht. Konsulta nga afër dhe ekzaminimi me anë të dermatoskopit pranë mjekut dermatolog do të konfirmojë gjendjen e nishaneve tuaja. E nëse më pas vendosni që për qëllime estetike t’i hiqni nishanet mund ta kryeni pranë kirurgut. Dua të theksoj në fakt që edhe nëse nishanet rezultojnë të jenë kancer i lëkurës, hapi i parë dhe kryesor (kur përmasat e nishanit e lejojnë) është heqja kirurgjikale e elementit deri në kufij të shëndoshë të lëkurës dhe ekzaminimi histopatologjik i tij (biopsia). Pas përgjigjes së kësaj të fundit mjekët vendosin mënyrën e ndjekjes së pacientit, që për patologji malinje fillestare heqja kirurgjikale mbetet hapi i parë dhe i fundit i shërimit. Ndaj jo më kot, gjithnjë e më shumë mjekët dermatologë zhvillojnë fushata sensibilizuese për popullatën për t’ju drejtuar mjekut për të kontrolluar nishanet e tyre në mënyrë rutinë dhe jo vetëm kur i shqetëson pamja e nishanit. Diagnostikimi i hershëm shpëton jetë!
Dr.Silvana Mishtaku
Mjeke Dermatologe-Venereologe
Klinika Vivia, Spitali Amerikan 3
Email: [email protected]
Instagram: silvanamishtaku