Ta thotë doktoreshë Silva

Ato puçrrat e tmerrshme pas depilimit morën përgjigje përfundimtare

Ato puçrrat e tmerrshme pas depilimit morën përgjigje

Pyetje nga lexueset:

Meqë jemi para plazhit, kam një problem që më ka nisur prej disa vitesh. Ndërsa më parë depilimin e bëja me makinën përkatëse, tashmë nuk mund të përdor më metodën e shkuljes, por vetëm atë të prerjes së qimes (briskut), për shkak të irritimit të lëkurës. Ky rritim që nis me skuqjen e lëkurës dhe më pas, me daljen e akneve, zgjat prej disa javësh, deri në momentin kur vjen sërish koha për t’u depiluar. Pavarësisht metodave që përdor pas depilimit (pudër, ujë, vaj, krem) asgjë nuk ka qetësuar irritimin e lëkurës.

Përgjigje nga Dr. Silvana Mishtaku

Shumë njerëz shfaqin një shqetësim të tillë, që në fjalorin dermatologjik njihet me emrin follicullitis. Ai shfaqet pas procedurës së shkuljes së qimeve, si rezultat i inflamacionit (irritim) kutan dhe manifestohet me skuqje, pucrra të vogla të kuqe, që shpesh herë shoqërohen me kruajtje, poret e lëkurës zgjerohen dhe çdo krem apo vaj që aplikoni pas jo vetëm që nuk e qetëson por duket sikur e irriton më tepër lëkurën. Në javët në vijim, në lëkurë pucrrat persistojnë si rezultat i qimeve të holla që nuk arrijnë të dalin në sipërfaqe të lëkurës por ngecin brenda saj e duke shkaktuar rreth tyre inflamacion-folliculitis. Si përfundim lëkura nuk është asnjëherë e qetë dhe e pastër, ndaj duhet të ndërroni si fillim metodën e epilimit/depilimit ashtu në fakt siç ju keni bërë duke kaluar tek heqja e qimeve me brisk. Kjo metodë bën që qimet të trashen e të kenë aftësi të dalin në sipërfaqe, mund të lëri më pak irritime por nuk mund të aplikohet në zonat me qime të holla si dhe duhet bërë shumë shpesh gjatë një muaji. Ndaj metoda më e mirë dhe afatgjatë (n.q.s. ju nuk keni çrregullime hormonale) është epilimi me lazer. Fatmirësisht, në Tiranë, në klinika të ndryshme ofrohen disa lloje teknologjish të prekshme nga shumica e njerëzve. Nuk mund të mos përmend këtu Soprano Ice hair removal laser, prezent në klinikën ku unë punoj, si një aparaturë me teknologji të kombinuara Alexandrite, Diode dhe Nd YAG, që bën të mundur reduktimin si të qimeve të holla dhe atyre të trasha pa dhimbje e në më pak seanca se lazerat e tjerë.

Në rastin e folliculitit në fakt heqja e qimeve me lazer është një indikacion i mirëfilltë mjekësor, pasi nëpërmjet kësaj metode numri i qimeve reduktohet deri në 80-90% (në varësi të llojit të lazerit, qimeve etj) si dhe nuk dalin më nën lëkurë, duke lejuar që kjo e fundit të jetë e butë dhe e lëmuar.

Në rastet që për arsye të ndryshme nuk mund të kryeni epilimin definitiv me lazer por ju duhet një epilim më afatgjatë sesa metoda me brisk, mund të aplikoni epilimin me dyllë, por duke pasur parasysh disa gjëra.

Para epilimit rekomandohet aplikimi i një eksfoliatori delikat ose fshirja e lëkurës me peshqir me ujë të ngrohtë, e cila largon qelizat e vdekura edhe yndyrën e lëkurës. Përdorimi i lëndëe eksfoliuese është i rëndësishëm edhe në ditët pas epilimit pasi ndihmon që qimet mos të mbeten nën lëkurë por të dalin në sipërfaqe.

Higjiena është shumë e rëndësishme; siç e përmenda më sipër, poret gjatë heqjes së qimeve me dyllë janë të hapura (për shkak të ngrohtësisë së dyllit dhe forcës shkulëse) ndaj lani duart, thonjtë dhe zonën që do të epiloni me një sapun antibakterial. Përdorimi i dorezave për zonën intime është domosdoshmëri. Po kështu ena e dyllit duhet të jetë e pastër dhe shkopi aplikues i dylllit njëpërdorimësh, që do të thotë se pasi merrni një sasi dylli nga ena e doni të rrimerni sërish, hidheni të mëparshmin e përdorni një shkop të ri. Në qendra estetike këto duhet të jenë masa që zbatohen rigorozisht, përndryshe mund të përballeni me infeksione të lëkurës nga më të ndryshmet.

Aplikoni dyllë për lëkura sensitive si p.sh. dyllë me bazë peme çaji (tea tree), i cili ka gjithashtu veti antiseptike. Po kështu, një vaj qetësues me këtë përmbajtje pas procesit është një zgjedhje e mirë.

Menjëherë pas procedurës aplikoni locion me veti qetësuese dhe antibakteriale, mos e prekni lëkurën, evitoni ekspozimin në diell, ambientet publike (sauna, pishina, etj.), veshjet e ngushta dhe aktivitetiin fizik të shtuar, i cili shton djersitjen dhe mund të irritojë lëkurën. Nëse puçrrat shfaqen, mos i ngacmoni ato, e nëse persistojnë konsultohuni me mjekun dermatolog.

Shënim:

Epilim- të gjitha metodat që heqin qimet me rrënjë (lazer, dyllë, makinë)

Depilim- të gjitha procedurat që largojnë vetëm pjesën e qimes në sipërfaqe të lëkurës (brisk, krem depilimi etj.)

Dr.Silvana Mishtaku

Dermatologe-Venereologe

Klinika Vivia-Spitali Amerikan 3

instagram:silvanamishtaku

email: [email protected]