Epilimi me laser, gjithçka nuk ke ditur që nuk ke ditur (ose e di gabim)
Nga Dr.Silvana Mishtaku/ Ndodh shpesh që gra e vajza mendojnë apo vendosin të kryejnë heqjen e përhershme të qimeve me laser, por në fund fare tërhiqen, pasi ndodh të dëgjojnë një mikeshë që iu thotë se kjo është e rrezikshme. Apo një tjetër që u ka thënë se dhimbja është e padurueshme. Apo shumë informacione që mund të jenë dhe të pavërteta apo keqinformime të ndryshme. Për t’jua bërë më të lehtë, më poshtë po iu përgjigjem të gjitha pyetjeve që mund të keni. Shumë i kam dëgjuar në klinikë, ndaj sot po i ndaj përgjigjet me të gjithë. Për të tjera, mund të më shkruani në adresën më poshtë. Kjo hapësirë informuese në Tirana Post shpresoj të vijojë gjatë e të ndihmojë shumë prej jush.
A ka dhimbje?
Në varësi të llojit të lazerit (por dhe shkallës së ndjeshmërisë të individit), më shpesh flitet për diskomfort minimal. Një tjetër avantazh ky i Alexandrite, i cili është pothuajse i padhimbshëm (kush ka provuar lazer të mirëfilltë Diode, e kupton mirë këtë diferencë).
Çfarë duhet të kemi parasysh para fillimit të trajtimit?
Si fillim, konsulta me personelin e qendrës që kemi zgjedhur, duke pasur parasysh që të kenë kaluar rreth 2-3 jave nga epilimi i fundit me dyllë apo metoda të tjera shkulëse dhe qimet të jenë të dukshme në sipërfaqe të lëkurës (që të përzgjidhet më mirë energjia e lazerit). Pas kësaj, qimet duhet të shkurtohen me brisk, mundësisht 1 ditë para kryerjes së sëancës, që lëkura të jetë e qetë ditën e trajtimit (për lazerat diode ose aleksandrite). Për zona të tilla si fytyra, parakrahët apo pjesë të tjera me qime të zbehta e jo shumë të dendura, preferohet shkurtimi dhe jo brisku.
Çfarë duhet të presim pas trajtimit?
Pas seancës lëkura paraqitet normale ose ka një skuqje të lehtë, që kalon brenda pak ditësh, por djegie ndodhin vetëm nga aplikimi jokorrekt i tij. Qimet pritet të bien përafërsisht 2 javë pas trajtimit vatra-vatra, ose në mënyrë difuze, duke ridalë më të holla e të zbehta.
Sa seanca duhet të kryejmë ?
Çdo aparaturë ka specifikat e veta, por referuar Diode dhe Alexandrite, mesatarisht nevojiten 5-6 seanca në interval 4-6 javë nga njëra-tjetra (në varësi të zonës dhe llojit të qimeve). Rekomandohet kryerja e rregullt e seancave dhe pa ndërprerje jashtë këtyre afateve për rezultate maksimale.
Në cilat raste qimet nuk bien apo ridalin shumë shpejt?
Në rastin kur procedura është kryer siç duhet dhe janë respektuar intervalet midis seancave, faktorët më të shpeshtë të mossuksesit lidhen me çrregullimet hormonale (vezore polikistike, testosteron mbi normë, hirsuitizëm, menopauzë etj) Në disa pacientë me çrregullime hormonale lazeri mund të stimulojë ridaljen e qimeve të trajtuara ose eliminon qimet e trajtuara, por dalin të reja shumë shpejt. Ndaj kjo situatë duhet diskutuar në konsultën paraprake, për t’i dhënë zgjidhjen më të mire, në bashkëpunim me mjekun gjinekolog ose endokrinolog.
Në cilat raste trajtimi me lazer nuk duhet të kryhet?
Lazeri nuk duhet të kryhet gjatë periudhës së shtatzanisë mundësisht dhe gjatë gjidhënies. Po ashtu ai nuk duhet të kryhet mbi lëkurë të dëmtuar, të infektuar apo që paraqet sëmundje akute të saj. Ndërkohë që shërben si zgjidhje afatgjatë e sëmundjeve të tilla si infeksioni i rrënjës të qimeve kur mjeku dermatolog e konsideron të nevojshëm. Ai mund të kryhet në të gjitha zonat e trupit me qime përfshi sqetullat e zonën intime, pa i rrezikuar ato për sëmundje të brendshme apo ulur probabilitetin për shtatzëni.
A është heqja e qimeve me lazer përfundimtare?
Lazeri, pavarësisht llojit, redukton deri 70-80 % të qimeve të trajtuara, por nuk është përfundimtar. Rreth 18 muaj pas mbarimit të seancave duhet të kryhet seancë mirëmbajtëse. Zakonisht rekomandohet një seancë mirëmbajtjeje në vit.
*Autorja, Dr.Silvana Mishtaku, është dermatologe-venereologe, Klinika Vivia, Spitali Amerikan 3
Email: [email protected]
Instagram: silvanamishtaku