Sekrete Udhëtimesh

Mauritius, dashuria ime me shikim të parë

Mauritius, dashuria ime me shikim të parë

Nga Ornela Zholaj/ Në vitin e largët 2004, edhe pse quhesha njeri që kisha udhëtuar shumë dhe kisha parë shumë botë, teksa po kërkoja të realizoja të parat pushime në destinacione të largëta ekzotike, përfundova në Mauritius, në ishullin e oqeanit Indian në lindje të Madagaskarit. Arsyeja pse e zgjodha ishte tepër e thjeshtë dhe praktike: ishte i vetmi vend ku nuk nevojitej vizë. Por siç ndodh gjitmonë me rënien në dashuri, kur ti nuk e di se kur do ta takosh dhe si do të të ndryshojë, Mauritius u kthye në të vetmin destinacion të largët ku jam kthyer pastaj edhe dy herë të tjera (dhe nuk e di se sa herë të tjera do ta zgjedh sërish).

Ka shumë arsye për të zgjedhur Mauritius, sepse pushimet aty nuk bazohen vetëm tek dielli, deti, rëra e bardhë dhe palmat, me të cilat pikturohen parajsat tropikale. Këto gjenden edhe në Mauritius dhe janë të magjishme, por ka shumë më tepër. Në brendësi të ishullit bashkohen krateret vullkanike me malet mbi 800 metër të lartë ndërsa ujvarat kanë pamje të mahnitshme dhe ndodhen nëpër fshatra të vegjël karakteristikë, që kanë bimësi dhe kafshë e shpendë të rrallë. Gjëja më karakteristike e plazheve në Mauritius janë barrierat koralore, që në disa vende të caktuara janë shumëngjyrëshe dhe nuk mund t’i shohësh askund tjetër përveçse këtu. Të apasionuarit pas zhytjes kanë mundësi të shohin gjallesat e ujit me ngjyra të paimagjinueshme.

Por dita në Mauritius nuk mbaron me perëndimin e diellit. Miksimi i kulturës afrikane dhe aziatike ofrojnë muzikë, atmosferë dhe kërcime, ndër të cilat më e njohura quhet “sega”. Dhe netët bëhen shumë romantike nën qiellin në formë kubeje të hemisferës australiane.

Ndërsa ditën mund ta nisni plot me ngjyra. Për këtë ju shërben aventura në  Charamel, një fenomen fantastik gjeologjik, që do ju lidhë më shumë me token dhe bukuritë e saj. Një vend ku toka rrezaton 7 ngjyra të ndryshme është must për tu parë.

Dëshironi të sheqeroseni? Për këtë ju ofrohet aventura e sheqerit. Pranë kopshtit botanik të ishullit do të zbuloni vendin ideal për të mësuar mbi traditën e nxjerrjes së sheqerit.

U tejngopët me kulturë? Mali “Le Morne Brabant” është zbuluar në jug – perëndim të ishullit, i mbushur me shpella rrëzë ujit, është një nga sitet e mbrojtura nga Unesco. Jo vetëm për shkak të malit, por edhe sepse është kthyer në një nga simbolet më të fuqishme të lirisë, dikur ky vend përdorej nga skllevërit si vend-strehim arratisjeje. Duke e vizituar ndoshta do të mund t’ju duket vetja si Piratët e Karaibeve.

Kryeqyteti i vendit quhet Port Louis. Atje mund të vizitoni pallatin qeveritar me arkitekturë koloniale por edhe bazaar-in, ku fshatarë dhe artizanë të çdo lloj nacionaliteti shesin produktet e tyre në një markatë shumëngjyrëshe. Për t’u vizituar janë edhe Muzeu Kombëtar, i cili ruan mbi 500 mijë vëllimeme librash, xhaminë Jumman dhe Ganga Talao, tempullin hindu më të madh në ishull. Pranë kryeqytetit gjenden plazhet Flick and Flac dhe Tamarin Bay, që janë zonat më të preferuara nga surfistët. Bell Mare dhe Coco Beach janë plazhet me rërën e bardhë, për të cilat çmenden gjithë turstët. Blue Bay ka të vetmen barrierë koralore shumëngjyrëshe. Por plazhi që nuk do e ndërroja me asgjë tjetër, që është një ishull brenda ishullit, quhet I’lle aux Cerfs, ishulli i kapronjve. Shkohet me varkë - taksi dhe është një nga vendet që nuk duhet lënë pa parë.

Pas zhytjeve dhe atraksioneve ju duhet dhe ushqimi mirë. Sugjerojmë “Chez Tante Athalie” një restorant autentik, që do ju japë shijën e vërtetë vendase. Duhet të keni parasysh që kuzhina mauritiane është një miks fantastik kulturash. Nga portugezët fillimisht që ishin dhe kolonizatorët e pare të ishullit në shekullin e XVI më pas nga hollandezët, francezët dhe britaniket shto këtu edhe emigrantët e ardhur në ishull nga India, Kina dhe Afrika dhe mendo çfare miksi bëhet në fund.

Gjuha zyrtare e ishullit është gjuha kreole, por gjithë ishulli flet frëngjishten dhe anglisht për turistëve. Në Mauritius mund të shkosh gjithë vitin, sepse diell ka gjatë të dymbëdhjetë muajve. Pushuesve që duan vetëm verën tipike dhe gjatë pushimeve duan thjesht të bëjnë plazh e të rreziten, u rekomandohet periudha nga maji deri në nëntor, dimri i hemisferës jugore, kur klima është më e përshtatshme për të bërë plazh. Duhet të përgatiteni shpirtërisht që shira bien kohë pas kohe, por kjo është gjëja më e bukur e zonës tropikale, për shkak të ngjyrës së bukur që merr qielli direkt pas shiut. Vera është nga dhjetori deri në prill, kur temperaturat janë më të larta, por edhe lagështia është më e lartë. Në cilëndo stinë që të shkoni, mos harroni kremin me faktor të lartë, mbi 50, për fytyrën dhe trupin. Nuk bëhet shaka me diellin në Mauritius.

Për të shkuar atje më i këshillueshëm është udhëtimi me Turkish Airlines. Një paketë standarte e “Global Travel” për Mauritius fillon nga  1590 eur për person ku përfshihet: fluturimi, akomodimi në hotel me mëngjes dhe darkë si dhe transfertat nga aeroporti në hotel dhe nga hoteli për në aeroport.

“I pari që u krijua qe Mauritius. Pastaj Parajsa. Dhe parajsa u bë sipas shëmbëlltyrës së Maurituis”, tha Mark Twain pas vizitës atje. Jo më kot unë e dashurova me shikim të parë, edhe pse atje më shpuri rastësia.