Ta thotë doktoreshë Silva

Mos të na kishte sqaruar dr. Silvana, do vazhdonim të mendonim se buzët fryhen me botox

Mos të na kishte sqaruar dr. Silvana, do vazhdonim të mendonim se

Nga Dr. Silvana Mishtaku/Botoxi është një nga trajtimet më të shpeshta të dermoestetikës, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën. Përdorimi i parë i tij në mjekësi daton në vitin 1920 dhe mbi 60 vjet më vonë (në vitin 1987) një cift mjekësh zbuluan efektin e botoxit mbi rrudhat gjatë përdorimit oftalmologjik të tij (sëmundjeve të syrit). Që prej atij momenti botoxi filloi rrugëtimin në dermoestetikë, për t’u kthyer sot në industri biliona dollarëshe. Pavarësisht trajtimeve të reja dhe aparaturave moderne që vazhdojnë të prodhohen e të ofrohen, botoxi, i konsideruar si “gjeniu në shishe” mbetet alternativa më e mirë e trajtimit të rrudhave të mimikës. E megjithatë, në praktikën e përditshme vazhdoj të shoh reagime jo të mira dhe frikë kur rekomandoj aplikimin e botoxit. Kjo sepse njerëzit e lidhin fjalën botox me fytyra të kthyera në maska, fytyra të fryra e të deformuara e pamje nga më të frikshmet. Në fakt, në shumë prej këtyre rasteve nuk është shkaku i deformimeve aplikimi i botoxit, por injektimi i lëndëve mbushëse (në rastin më të mirë acid hialuronik, në rastet e këqija lëndë si silikon i lëngshëm), në raste të tjera aplikim jo korrekt i botoxit, që ka të bëjë në fakt edhe me konceptin e trajtimit me botox (shpesh herë synohet nga aplikuesi dhe kërkohet nga pacienti zhdukje e plotë e rrudhave). Në fakt, botoxi mund të aplikohet dhe në të njëjtën kohë të ruhet pamja natyrale e fytyrës, por më parë duhen ditur disa gjëra…

Në radhë të parë botoxi relaxon muskujt e zonës ku injektohet e për pasojë shkakton shtrirje të rrudhave në zonën e injektimit, pra nuk krijon fryrje (buzët nuk fryhen me botox!!!).

Nga ana tjetër, për hir të së vërtetës, nëse bllokon plotësisht disa muskuj të fytyrës, gjatë periudhës nën efektin e botox fillon dhe përdor muskuj të tjerë të fytyrës, të cilat mund të jenë dhe më të vështira për t'u trajtuar. Kjo gjë është e evitueshme nëse ju nuk pretendoni zhdukje të të gjitha rrudhave por edukoheni të zbusni me botox zonat më të fuqishme të mimikës (si p.sh. rrudha mes vetullave, vijat horizontale të ballit apo anash syve). Shpesh herë pretendimi për të reduktuar dhe rrudha të lehta në zona më specifike mund tju përkeqësojë apo t'ju humbasë pamjen natyrale.

Një shprehje tjetër që dëgjoj shpesh është ”jam herët për ta filluar, dua ta shtyj për më vonë, se po e fillova duhet ta bëj gjithmonë”. Në fakt, ashtu si në çdo fushë tjetër të mjekësisë, edhe në dermoestetikë vlen shprehja “më mirë të parandalosh sesa të kurosh” dhe botoxi mund të aplikohet në moshat e reja, në personat që kanë mimikë shumë të shprehur, për të parandaluar instalimin e rrudhave në gjendje qetësie dhe për të edukuar muskujt e mimikës. Në këto mosha të reja botoxi redukton plotësisht rrudhat e para, të cilat nuk rishfaqen menjëherë pasi del efekti i botoxit. Ndërkohë në moshat e mëdha me rrudha të thella aplikimi i botoxit nuk arrin t'i zhdukë plotësisht rrudhat në një aplikim ndaj kërkohet kombinim me trajtime të tjera.

Për të ruajtur pamjen natyrale por njëkohësisht reduktimin e rrudhave, konsultohuni paraprakisht për llojin dhe dozën e botoxit me mjekun që do t’u aplikojë trajtimin, pasi në varësi të tyre mund kryeni trajtimin dhe i vetmi ndryshim që njerëzit t’ju vënë re është se dukeni më të freskët :).