Bëje me Arkitekt

Pema e vitit të ri/ Mos e bëj atë gabim të lutem!

Ingrid Martini është një vajzë me flokë të kuqe dhe pak si te shpupurisura. Mund t’i flasësh në anglisht nëse e qëllon në supermarket, sepse duket si një e huaj. Është arkitekte dhe raca e tyre është pak ndryshe, por Ingridi është fantastike! Ingridi mund ta kthejë një shtëpi 45 metër katror në një hapësirë jo vetëm komode por edhe të madhe. Arkitektja që i bashkohet bashkëpunëtorëve të TIP, do iu rrëmbejë zemrat me idetë, këshillat dhe ah ngjyrat dhe abazhurët. Këtë herë ka folur për pemën e vitit të ri. Lexoni Ingridin dhe do kuptoni pse u del aq shëmtuar në foto ajo Pemë qe u munduat aq shumë!

 

Ingrid Martini, Arkitekte/ Mund të tingëllojë naive, por më ndodh shpesh në këtë sezon të vitit, që mikeshat e miat më pyesin: Si ta bëj pemën? Do më ndihmosh pak?

Dhe unë, si një mami që zihet me fëmijët e saj se kush do e zbukurojë pemën e se cila do të jetë ngjyra e radhës, jam përherë gati për t?u zbavitur,

Ndaj, ajo për të cilën vendosa të shkruaj sot është: pema e Vitit të Ri dhe dekorimi i saj (sipas meje).

Së pari, është zgjedhja e pemës. Sigurisht që e këshillueshme do të ishte një bredh natyral. Ai do e mbushë shtëpinë, jo vetëm me bukurinë e një peme natyrale, por më së shumti me aromën e pakrahasueshme. Sidomos pasi dritat të jenë ndezur, ngrohtësia e tyre do ta intensifikojë aromën halore.

Në pamundësi të kësaj, atëherë, një pemë artificiale. Dhe duke qenë se më shumë mundësi pema do të qëndrojë në shtëpi për më shumë se një sezon festash, investoni në një pemë të mirë, dmth të plotë e të dendur (që të mos i ketë degët e rralla). Pastaj, përmasa varet nga këndi që keni menduar t?i rezervoni. Por në parim, sa më e madhe dhe e lartë, aq më e bukur do të jetë.

Është shumë e rëndësishme të sistemohet këmbaleci i pemës! Nuk mund të lihet në dukje! Do ta zhvlerësonte të gjithë pjesën e sipërme. As të mbulohet me ndonjë leckë! Mos e bëni, ju lutem!

E këshillueshme do të ishte një mbulim i vëllimshëm, i tipit  një shportë apo një vazo qeramike apo kovë metalike, e cila do të balanconte mirë vëllimin e pemës.

Mbasi kjo të jetë sistemuar, të parat vendosen dritat. Kujdesuni që filli elektrik i tyre të ketë të njëjtën ngjyrë me degët e pemës. Që do të thotë, nëse pema është e bardhë, filli i dritave të jetë i bardhë. Nëse është e gjelbër, filli njësoj.

E sa më shumë drita, aq më e bukur e rrëzellitëse pema.

Pastaj ngjyra e dritave, e mira është të përkoje edhe me atë të dekoreve, qoftë kjo e kuqe apo e gjelbë, apo lejla. E sigurt është që me dritat e verdha jeni gjithmonë në zonë të sigurt, sidoqoftë tema e radhës.

Dhe vjen radha e zbukurimeve. Unë, në përgjithësi, sugjeroj të zgjidhet një ngjyrë e një teme, p.sh.: e kuqe ose e bardhë ose e gjelbër. Ose më së shumti dy, që shkojnë me njëra-tjetrën, e bardhë me të kuqe, e verdhë me kafe, blu me të bardhe, e bardhë me kafe.

Apo me lodra apo me kafshë, biskota, fruta, country, shabby chic, rustike, glamuour.... ka pafund motive.

Vendosen të parat ato me dimensione më të vogla e pastaj ato me të mëdhatë. Unë i kam qejf, pak të personalizuara edhe ato më të zakonshmet. Por pëlqej që personalizimin, t?ua bëj vetë. P.sh. sferat e zakonshme duken shumë bukur me një fjongo sateni apo kadifeje. Boçet e pishave janë një dekor shumë rustic, por që i rri shumë bukur e natyrshëm çdo peme. Një fjongo lini do të ishte një prekje stili mbi to. Apo të mund të krijosh një zbukurim vetë, duke marrë një sfrete polisteroli te Jumbo, të cilën e vesh me një beze, cilido qoftë materiali apo dizenjoja.

E bukura e të gjithës kësaj është koha që shpenzohet dhe dashuria me të cilën krijohen. Fakti që bashkë me fëmijët kënaqemi duke kombinuar apo krijuar, është i pazëvendësueshëm.

Por, pooor, të mos harrojmë edhe pjesën tjetër të shtëpisë, që në këtë periudhë kërkon prekje feste. E nuk ka nevojë të shpenzoni një pasuri me dekore, pasi tufa me dega pishash e bredhash do te ishin perfekte. Edhe paketimet e dhuratave do të ishin një sfidë më vete, e do të duhej që të bënin match me pemën poshtë të cilës do të vendosen.

 

Por, për të gjitha këto do të flasim herës që vjen!

Fundjavë të ngrohtë!

 

Ah edhe diçka :

Dritat e pemës apo të dritareve,  apo nëpër shtëpi, ju lutem mos i lini të ndizen e të fiken, fap, fap, fap, se për njerëz të çuditshëm si unë, japin një ndjesi alerti. Lërini të ndezura still, se duken njësoj që keni vendosur drita, më besoni!

Rubrika: Një arkitekt për mua/ Tiranapost.al