Si mund t’i parandaloj dhe si t’i trajtoj koret që më krijohen në fytyrë nga i ftohti?


Gjatë periudhës së dimrit lëkura është e ekspozuar ndaj agjentëve agresivë klimaterik, si temperaturat e ulëta, lagështira, era etj. Krahas kësaj kalimi në ambientet e brendshme të ngrohta e të thata ushtron një stres në lëkurë si rezultat i ndryshimit ekstrem dhe të menjëhershëm. Për pasojë lëkura mund të skuqet, të thahet e shoqëruar me ndjesinë e nxehtësisë e djegies e më pas të deskuamohet (peta të bardha të ngjashme me zbokthin e kokës) sidomos në persona që kanë tendencë për të zhvilluar sëmundje dermatologjike si ekzema, rosacea apo dermatit seborrheik. Në këto raste lëkura përkeqësohet akoma më shumë gjatë dimrit dhe duket e skuqur e me kore të trasha në ballë, përreth vetullave, anash hundës mollëza dhe në zonën e mjekrës. Në rastet e acarimeve të tilla ju duhet të drejtoheni te mjeku dermatolog për të marrë mjekim për fazën e acarimit e më pas mjekim mbajtës që synon parandalimin e përkeqësimit ose shfaqjen më të rrallë dhe më të lëhtë të tij. Parandalimi dhe përkujdesja për lëkurën gjatë dimrit nëpërmjet disa masave të thjeshta mund t’ju ndihmojë dhe të pakësojë rriskun për acarim të lëkurës. Kështu, si fillim shmangni larjen e fytyrës me ujë të nxehtë dhe dushet e zgjatura në temperatura të larta pasi uji i nxehtë eliminon yndyrën e nevojshme për lëkurën. Po kështu larësi që zgjidhni duhet të jetë delikat dhe që shmang tharjen e lëkurës (jo për individët me lëkurë të yndyrshme). Pas larjes dhe tharjes së lëkurës aplikoni menjëherë kremin hidratues pasi poret janë akoma të zgjeruara dhe kremi përthithet më mirë. Përvec kësaj zgjedhja e hidratuesit është e rëndësishme; ai duhet të jetë i llojit “ujë në vaj”, pra me konsistencë më të trashë se kremi që përdorni në periudhën e ngrohtë (krem i hollë në formë locioni). Kremrat më të përshtatshëm për periudhën e dimrit përmbajnë lëndë si glicerina, petrolatum, acidi laktik, urea etj. Kremi duhet aplikuar në mënyrë të rregullt, pas larjes, si për fytyrën dhe trupin dhe duhet riaplikuar në rast se do të dalim në ambientin e jashtëm e të ftohtë në mënyrë që të veprojë si barrierë fizike midis lëkurës dhe agjentëve agresivë të jashtëm. Gjithashtu mos harroni që të ketë filtra mbrojtës pasi rrezatimi ultraviolet vepron në mënyrë të vazhdueshme mbi lëkurë edhe në ditët e vrenjtura. Nëse do kaloni pushime në zona me dëborë atëhere duhet të jeni rigoroz në aplikimin e tij njësoj si në periudhën e plazhit.
Por edhe ambienti i brendshëm duhet mbajtur brenda disa parametrave të caktuar: ai nuk duhet të jetë shumë i ngrohtë dhe duhet lagështuar në mënyrë të herëpashershme. Dhe pavarësisht se është një nga gjërat më të këndshme gjatë dimrit, mos qëndroni në afërsi të burimit të nxehtësisë pasi lëkura do të skuqet, thahet e acarohet.
Dhe së fundmi (por jo nga rëndësia) do të përmend ushqyerjen e shëndetshme dhe konsumimin e lëngjeve si mjaft të rëndësishëm për të gjithë organizmin dhe për organin më të madh të saj, lëkurën.
Dr.Silvana Mishtaku
Dermatologe-Venereologe
Klinika VIVIA,Spitali Amerikan 3
Instagram:silvanamishtaku
Email: [email protected]