Armata 1 milionëshe (dhe më shumë ndoshta) që na del përpara çdo ditë
Nga Iva Tiço/Një milion shqiptarë të moshës mbi 25 vjeç nuk kanë lexuar asnjë libër përgjatë një viti. Edhe pa folur Instituti i Statistikave, mund të bëhej një përllogaritje dhe ky një milionësh të të duket pak. Vërtetë një në tre shqiptarë nuk lexon? Apo më shumë? Ja t’i shohim.
- Nuk lexon asnjë libër asnjë nga burrat e lagjes sime: në një pallat me katër hyrje janë dy kafene-pika bastesh dhe dy kafene të thjeshta, që gjallohen vetëm nga burrat, asnjëherë të shoqëruar nga gratë apo fëmijët. Plus dy tavolina në cepat e pallatit, ku luajnë tavëll, shah, letra domino… Paradite, pasdite, ndwrrojnë vendin në varësi se ku bie dielli, por jo zakonet. Hera herës bërtasin dhe shahen me fjalët më të pista me njëri-tjetrin dhe dëgjohen deri në katet e sipërme. Zor se kur kthehen në mesnatë në shtëpi të hapin ndonjë libër që të flenë në paqe.
- Nuk lexojnë asnjë libër gratë e këtyre burrave. Do më dukeshin jashtëtokësore, po të lexonin. Janë heroina të vërteta. Nuk i shoh kurrë paradite, vetëm nëse dal që pa gdhirë mund t’i ndesh shkallëve, teksa nxitojnë për në punë. I shoh pastaj me fëmijë përdore, me trasta pazari që mezi i sjellin zvarrë, duke nderur rroba ballkoneve, duke nxjerrë fëmijët shëtitje, kur është koha e mirë, duke larë xhamat fundjavave, duke prerë pak majat e flokëve tek parukierja të dielën, duke mbajtur për krahu nënat apo vjehrrat në moshë të shkuar dhe i përfytyroj gjatë gjithë pasdites nëpër shtëpitë e tyre duke larë, krruar, gatuar, hekurosur, duke u kërkuar kalamajve të bëjnë detyrat, duke u sherrosur me ata burrat që kanë humbur skedinën poshtë pallatit, apo që nuk u ka shkuar si duhej loja e letrave… Të mirat ato! Një telenovelë e thjeshtë është ajo që u duhet mbrëmjeve, që të flenë të buzëqeshura e me ëndrra të bukura, përpara se të hapin sytë të nesërmen, e të nisin betejën nga e para.
- Nuk lexojnë asnjë libër ata që shkruajnë nga mëngjesi në darkë në Facebook. Po të lexonin, do të dinin ku duhet vënë e ku duhet hequr ajo dreq ë-je. Ata që na çmendën sot gjithë ditën duke mallkuar myslimanët që faleshin në Sheshin Skënderbej; ata që thonë “kujt i plasi” poshtë çdo titulli, e megjithatë u plas të lexojnë çdo ditë portalet; ata që mezi presin të gjejnë gjëkundi ndonjë gabim për të sharë gazetarët dhe ata të tjerët që i shajnë gazetarët edhe pa i lexuar, se domosdo, sot është e modes që gazetarët të shahen. Nuk kanë se si të lexojnë dhe ata që në instagram ndjekin VIP-at, vetëm sepse duan t’i shajnë sapo të botohet foto e radhës, as ata që thonë “yll, yll, yll” kudo, e as ata të tjerët, të njohur e të panjohur, që botojnë dhjetë foto të gjitha njëlloj, e që pastaj tërheqin vëmendjen për “haters që nuk u bëjnë like”… Librat janë shumë ndryshe nga kjo botë, janë një botë krejt e ndryshme. Nëse je në njërën, nuk hidhesh dot në tjetrën.
- Nuk lexojnë as ata të tjerët që rrinë duke bubrruar nga mëngjesi në darkë kudo, që bëjnë print screen, zoom, dërgojnë, komentojnë, fusin hundët, vjellin vrer, gjykojnë, fryjnë të tjerë, prishin punë. Të gjithë njohim të tillë njerëz. I keni dëgjuar të thonë ndonjëherë: “Mbrëmë ndjenja zgjuar deri vonë, sepse ai libri që po lexoj…”?! Unë jo për vete.
- Nuk lexojnë hallexhinjtë e vërtetë: duhet të mbijetojnë në këtë botë, libri është luks për ta. Nuk lexojnë as maskarenjtë: duhet të mbijetojnë, libri do t’i bënte të futeshin në mendime.
- Nuk lexojnë ata që nuk kanë parë prindërit duke lexuar, ata që të vetmit libra në shtëpi kanë pasur vetëm veprat e Enver Hoxhës, që të bëheshin dhuratë a bliheshin, për të bërë figurë të mirë, ata që kanë lexuar në shkollë për vetëm një provim apo ata që i zinte gjumi në faqen e parë. Asnjë nga këta nuk e di se ç‘është kënaqësia e leximit të një libri, nuk kemi si t’u kërkojmë të bëjnë një gjë që nuk i kënaq.
- Nuk lexojnë as shumë nga ata që postojnë libra në Instagram, vetëm sepse kjo është e modës dhe merr “like”. Ndryshe, nuk do kishte si të shpjegohej që të gjithë të postonin të njëjtat fraza nga një libër i caktuar, të njëjtat fjali që ose gjenden në kopertinën e pasme të librit ose në recensionin e parë në Google. Ndryshe, nuk do të kishte si të shpjegohej se si një libër Nobelisti, që në shqip nuk shtyhej as me vaj e as me uthull, sepse nuk gjeje asnjë fjali me kuptim, të postohej nga njerëz të ndryshëm… Sigurisht që ata nuk e kanë lexuar (për hir të së vërtetës, as unë nuk e lexova dot, po së paku s’e postova).
Por Shqipëria kaq është. Edhe pa dalë shifra e frikshme e Institutit të Statistikave, hiq kategoritë e mësipërme, hiq dhe të tjerët që janë nën 25 vjeç dhe nuk përfshihen në studim… Por në raport ka dhe të dhëna të tjera: 102 mijë shqiptarë kanë lexuar rreth 5-10 libra vitin e kaluar dhe se 44 mijë të tjerë, më shumë se 10 libra. Një lajm jashtëzakonisht i mirë ky, sidomos për shtëpitë botuese. Sepse edhe bota nuk është se ka lajme shumë të mira nga kjo fushë, për aq kohë sa një ndër shkrimtarët e mi të preferuar bashkëkohorë thotë se “leximi është një art që po vjen duke u shuar dhe se librat janë si pasqyrat, ku gjejmë vetëm atë që kemi brenda nesh, se leximi përfshin mendjen dhe zemrën, dy sende që po bëhen gjithmonë e më të rralla”.