Sa nje kafe nga Iva

Kronikë e një dite në Tiranë, ku të gjithë i nximë jetën njëri - tjetrit

Kronikë e një dite në Tiranë, ku të gjithë i

Nga Iva Tiço/ E hëna më nisi me një lajm të keq sa hapa sytë: një mikesha ime na shkroi në grup në Whatsapp se si i kishte qëlluar të shihte një aksident në rrugën e Elbasanit. Pak më vonë lexova për një tjetër aksident të tmerrshëm ku kishin humbur jetën dy vajza adoleshente, dhe më vonë gjatë ditës mësova për vdekjen e një tjetër të riu, po në makinë, po në rrethinat e Tiranës.

Vetë dola po me makinë dje. Pa u nxehur mirë makina, sapo dola tek kryqëzimi i Selvisë unë isha e nxehur sikur të kisha kaluar aty pesë orë të mira. Dalja nga lagjja mes furgonëve të furnizimit, zënka me atë që parkon para garazhit, sharjet për atë tjetrin që është futur në rrugicën e ngushtë të shtëpisë ku ne mezi ia dalim vetë vetëm e vetëm që të shmangë kryqëzimin e rrugës së Barrikadave dhe tmerrin e Rrugës së Dibrës, gjithçka është shumë e mundimshme dhe kur sheh në kryqëzim se si autobuzi fizarmonikë futet edhe në semafor të kuq, që të fitojë pak sekonda kohë dhe thjesht bllokon gjithë trafikun, nga të gjitha drejtimet, kupton që ke dy rrugë: o do bëhesh edhe ti një nga shumë të shkalluarit e tjerë të të hënës paradite që janë lëshuar rrugëve me buri dhe futen ku të gjejnë një cep vend, o do marrësh për nga Medreseja, të dalësh në unazë dhe të shkosh prej andej drejt Tiranës së Re. Nuk fiton gjë në kohë, por pamja e asaj rrugës bosh, ku mund të ecësh, duket balsam për nervat e acaruara. Gjatë rrugës pastaj, sidomos në Unazë mund të shohësh që gjendja është njëlloj: rruga që është me dy korsi praktikisht është e kalueshme vetëm në një korsi: tek tjetra ka makina me freçet ndezur në gjithë gjatësinë, të gjitha të ndaluara aty ku nuk duhet, aty ku pengojnë të tjerë autobusë fizarmonikë që duhet të dalin nga korsia dhe bllokojnë rrugën për gjithë të tjerët… Por nuk janë të tërbuara vetëm makinat, kalimtarët janë gjithashtu në stres dhe në ankth, dalin nga shkurret mes korsive dhe futen me vrap në xhade, ti mund të ndalosh dhe t’i presësh sa të kalojnë një nga një në vizat e bardha, por kjo s’do të thotë që dhjetë metër më përpara të mos ndalosh prapë për ndonjë që kapërcen me vrap pa kthyer kokën, dhe bjeri sa të duash burisë, me të dyja duart madje: ka ca njerëz që e kanë ndarë mendjen të kalojnë në semafor të kuq dhe të të ulërasin e të të mallkojnë se pse je në makinë. Janë pastaj motorët e picave, që dredhojnë sa nga njëra anë e makinës në tjetrën, biçikletat që e kanë korsinë të zënë sepse aty ka kalimtarë, karroca me bebe që s’kanë trotuarë, se ose janë në ngushtë, ose janë të lartë, ose janë të zënë me makina të parkuara…

Janë pastaj dhe policët. I bien bilbilit të shkretët dhe vërtisin duart në ajër. S’di se ç‘bëjnë, në rregullojnë a prishin punë. Nervat po, ua ngrenë të gjithëve, në makina, në këmbë, me biçikleta apo motor qofshin. Të gjithë janë të hardallosur.

Kthimi në shtëpi është peripeci e ngjashme, si paraditja. Vetëm se burive u shtohen edhe dritat e gjata, frika se mos kalimtarët nuk i shquan (sidomos kur të dalin nga përpara ndonjë autobusi). Semafori i rrugës së Barrikadave ngjan i pakalueshëm me gjithë policin e ngratë që po i dalin mushkëritë vendit dhe vetëm pasi e kalon kryqëzimin dhe futesh në rrugë e kupton arsyen e gjithë atij bllokimi: në të djathtë, ngjitur me korsinë e biçikletave tre makina me freçe kanë ndaluar që të zotët të blejnë ëmbëlsira. Majtas, të tjera makina të parkuara dyshe bëjnë pazar tek supermarket. “Mos i hëngshi” është më e pakta që mund t’u thuash. Mund t’u ulërasësh dhe dy policëve pak metra më tutje që po u vënë gjoba makinave që kanë parkuar, ose që nuk kanë paguar, por nuk bën fajde: ata janë të Bashkisë kurse me ata shkelësit e tjerë që ta bëjnë jetën ferr, duhet të merret Rrugorja. Po t’u bërtasësh dhe atyre “Mos i hëngshi”, mund të çlirohesh disi dhe të parkosh me shpirt nëpër dhëmbë, pasi zihesh dhe me ndonjë tjetër që ka zënë derën e garazhit poshtë pallatit. Dhe në fund të marrësh vendimin që të nesësmen të dalësh në këmbë dhe të zihesh me makinat, policët, këmbësorët, biçikletat dhe motorët, tashmë si kalimtare… Shto dhe këmbët e bëra qull. Jeton në një qytet ku të gjithë nga mëngjesi në darkë i nxijnë jetën njëri tjetrit, ecim dhe ndalojmë të gjithë ku dhe si të duam dhe askush nuk është në rrugën e vet. Pranoje dhe nga këtej merre lehtë, nxijua dhe ti, nga nesër parko dyshe, futu ku dhe si të duash dhe mos e vrit mendjen. Në dreq të vejë kjo punë! Vetëm mos dëgjofshim më aksidente me vdekje./Tiranapost.al