Kur librat trajtohen si domatet e bahçes
Nga Iva Tiço. Më ndodhi para ca kohësh që të kërkoja në një librari të Tiranës një libër të Alberto Moravias, sipas rekomandimit të një miku, që i besoj shumë kur vjen puna tek sugjerimi i leximeve. Pasi e kërkova nëpër raftet e letërsisë së huaj, i kërkoj ndihmë njërës prej shitëseve, e cila pasi kontrolloi në sistem dhe doli që titulli i kërkuar nuk gjendej, më sugjeroi në konfidencë: “Po ti ç‘e do Moravinë, është shumë i vjetër, shiko tek ky rafti këtu janë titujt e rinj, nga këta blejnë të gjithë”. Batutën time që “librat nuk janë veshjet e D&G që të blesh sezonin e fundit”, ajo nuk e kapi fare. Me siguri do ketë menduar që vajzat që dalin në ekran e kanë mendjen tek rrobat. Dhe më mirë që nuk e kapi: nuk është gjithsesi dhe aq e sjellshme që një vajzë që del në televizor të trajtojë një shitë librash si injorante. Edhe pse, ato që shesin libra, mendohet që nuk janë thjesht shitëse, emërtohen madje “librare”.
Më kujtohet librashitësja alla-D&G, sa herë që i shoh të flasin qesim të gjithë për librin. Sepse kur vjen puna tek libri, të gjithë duam të dukemi. Të thuash se lexon libra, në kohët e sotme është shumë në modë, është një lloj statusi. Sa më shumë thuhet vërdallë që bota është bërë e cekët, aq më shumë ngulin këmbë të gjithë “oooo, po unë lexoj shumë”. Dhe si gjithë ata që duan të duken që lexojnë, këta “lexues të zhurmshëm” këmbëngulin sidomos në rrjetet sociale, aty ku mes shumë gabimesh gjuhësore, tipike të atyre që nuk lexojnë, japin mend për librat. Dhe ankohen se do të donin të lexonin më shumë, po ja që libri është shumë i shtrenjtë. “Uli çmimet e librave se i ke shumë”, ishte emëruesi i përbashkët i komenteve të lexuesve, poshtë një shkrimi të Tirana Post, ku botuesja Arlinda Dudaj tregonte shqetësimin e saj dhe të shumë kolegëve botues, për rënien e shitjeve. A thua se Arlinda dhe të tjerët i rrisin librat në ndonjë bahçe dhe kur e shohin që arkat kanë plot, mund t’i nxjerrin me çmime të lira apo t’i japin badiavah. Çdo njeri i lexuar dhe që ka aq shkollim sa duhet për të kuptuar se si funksion bota e biznesit, e di që çdo mall shitet në treg sipas një çmimi që ia dikton kostoja, ndaj libri nuk ka pse të bëjë përjashtim. Ata që janë më afër botës së botimeve pastaj, e dinë se sa kushton letra që është e gjitha nga importi, bashkë me shtypshkronjën, e dinë që sa më i ulët të jetë tirazhi (pra, numri i blerësve, atyre që lexojnë), aq më i lartë është çmimi për copë, se si autori i një libri paguhet vetëm 10 për qind të çmimit të shitjes, ndërsa shpërndarja 30 për qind, autorët e huaj kanë pagesa më të mëdha, po të shtosh pastaj pagesën e përkthimit, redaktimit, korrektimit, dizajni dhe kopertina, pastaj shpenzimet e shtëpisë botuese me qira ambientesh, taksa, drita… e kupton që çmimi jo vetëm që nuk është i lartë, por se ky është një nga ata biznese, që po të mos mbaheshin me të tjera shtypshkrime, apo nëse shumë përkthime e botime të mira nuk do të financoheshin nga projekte të ndryshme, libri artistik do të ishte zhdukur nga tregu me kohë e me vakt. Janë vetëm një grup njerëzish, një dorë përkthyesish dhe mjeshtrash të shqipes, që vijojnë ta bëjnë këtë punë më tepër për pasion sesa për paratë që ajo sjell, ndaj në respekt të punës së tyre nuk ia vlen që gjithë debati i leximit të përfundojë në banalitete të çmimit. Sepse ai që do vërtet të lexojë, nuk tutet nga çmimi, minimumi heq dorë nga kafenetë që janë gjithë ditën plot dhe askush nuk ankohet për çmimet e tyre. Apo shkon në bibliotekë. Apo blen librat e përdorur, që në Tiranë shiten gjithandej. Apo i ndan librat me miqtë, i merr hua dhe i kalon dorë më dorë, siç bëhej dikur. Sepse ai që do vërtet të lexojë, nuk merret me llogje boshe në rrjet, minimumi ka aq nderim për librin sa të mos e trajtojë si të jenë domatet e bahçes, ku mund t’i thuash atij që i shet “shtrenjtë i mbake!” Por kur nderin për librin nuk e dinë as librashitëset, çfarë mund të presësh nga ankimtarët në rrjet?!