Sa nje kafe nga Iva

Ndërkohë që të gjithë merremi me baltën, ekziston një Shqipëri që punon kaq bukur!

Ndërkohë që të gjithë merremi me baltën, ekziston

Nga Iva Tiço/ Dy njerëz qëndrojnë një një dritare: njëri, prej andej, sheh baltën në tokë, tjetri yjet në qiell.

Medias pak i interesojnë yjet, rrallëherë e ngre kokën sipër. Thuhet se njerëzit duan të dëgjojnë për baltën, të shohin këto lloj lajmesh lajme, klikojnë vetëm këto lajme. Shqipëria po prodhon kaq shumë të tilla, andaj dhe pak vend ka për yjet. Por hera herës unë dua të shoh ndryshe, jo thjesht për t’u ushqyer me optimizëm, jo thjesht sepse balta më lodh, më nxin jetën, më prish gjumin, më jep ankth, por edhe pse po të kujtohem që të ngre kokën lart, yjet nuk mungojnë.

Javën e shkuar gjithë media u mbush me historinë e një luani të keqtrajtuar një një gjasme kopësht zoologjik, në të vërtetë lokal privat, në hyrje të Fierit. Bash aty ku mbaron autostrada, i zoti i atij lokali ka menduar të tërheqë njerëz në biznesin e tij, duke torturuar disa kafshë të ngrata, që përtej dëshirës së pafajshme të fëmijëve që i duan të gjitha kafshët dhe kanë kuriozitet t’i shohin, s’di kujt të rrituri ia bën zemra t’u ngulë sytë… Për dy ditë me radhë kisha frikë të hapja rrjetet sociale, se mos më dridhej zemra nga ajo pamje aq e trishtë, që mbushi jo vetëm portalet, por edhe postimet individuale: “patrioti” im fierak, ia kishte dalë mbanë të fitonte famë anekënd vendit. Ndërkaq që tre ditë më pas, pak qindra metër larg lokalit të kafshëve të toturuara, një tjetër bashkëpatriot, me zërin e butë e urtësinë që karakterizon banorët e zonës, plus dhe përulësinë e shtuar nga veshja e klerit ortodoks, na shpjegon gjithë dëshirë për minuta të tëra historinë e kishës së Shën Kozmait, legjendat e vjetra, historitë e vona, por dhe problemet e sotme të një vendi aq të bukur e të harruar, kaq afër rrugës kryesore. Rruga për deri atje kalon mes tokash të punuara, serash, fermash të vogla, shtëpish të ndërtuara mirë e të rrethuara me lule dhe ti e kupton që kaq pranë atij të “kopshtit zoologjik”, që kërkon të bëjë para shpejt e shpejt, ka me qindra njerëz të tjerë, që me betejat e tyre të përditshme kanë nisur ta ringjallin fshatin. Ose fshati ka qenë i gjallë gjithmonë, por ne nuk e kemi pasur mendjen, nuk e kemi parë, nuk na e ka sjellë kush përpara syve. Zhgënjimi, që në ato rrugë dytësore nuk gjejmë tezga me produkte të zonës, gjen shpjegim pak më vonë; në një dyqan tipik fshati, ku domatet e vockla me ngjyrë të kuqe dhe erëmira janë dëshmi se ushqimet janë “pe vërteti”, na tregojnë se askush nuk shet në rrugë, sepse në atë zonë nuk ka turistë, vizitorë apo njerëz që shkojnë për të bërë pazar.

Do të duhet ndoshta të kalojë shumë kohë derisa zona të bëhet e vizitueshme, mbase kur edhe kjo kishë të futet në ndonjë hartë turistike, si ajo e Ardenicës, apo nëse ndokush do investojë në ndonjë ndërmarrje agroturizmi, që njerëzit të shkojnë atje për kuzhinën e mirë e për të blerë ushqime pa hile, jo për t’u kënaqur me luanë e majmunë. Si në zonën e Lezhës ndoshta, ku bizneset e mirëfillta të agroturizmit si “Mrizi i Zanave” e restorante si “Rapsodia” kanë bërë për zonën dhe komunitetin më shumë punë se të gjitha qeveritë e marra së bashku. Dy javë më parë, në panairin e zhvilluar në Tiranë, me produkte vendase, nën moton “Shqipëria punon tokën”, numri i shumtë i vizitorëve dhe atyre që blinin në stenda tregon ndër të tjera një ndërgjësim të njerëzve për të ngrënë shëndetshëm, por dhe një dëshirë për të blerë produktet shqiptare. Qoftë dhe për nostalgji apo solidaritet.

Përtej lajmeve të baltës, ka kaq shumë vezullime të vogla nga duhet t’i ngremë sytë. Si “Luga e Argjendtë”, që perveç restorantit me katër tryeza në Bllok, prej vitesh zgjedh produktet tipike shqiptare, ngjall recetat e vjetra, i përpunon, paketon, i promovon, i bën atraktive, apo arrin të fusë verën e Lundrës, shafranin e Dumresë dhe Livandën e Shën Gjergjit brenda çokollatave artizanale të prodhuara nga Le Bon në Shqipëri. Mjafton të interesohesh pak dhe mund të zbulosh një botë të tërë shijesh, ushqimesh të pastra, njëqind për qind shqiptare kaq pranë. Eshtë thjesht çështje zgjedhjeje, mjafton që nga dritarja të mos të të mbeten sytë tek balta. Të mirat pastaj i gjen dhe janë kaq të prekshme, shumë më pranë se yjet.