Sa nje kafe nga Iva

Në dorë të Zotit apo të Autoritetit të Ushqimit?

Në dorë të Zotit apo të Autoritetit të Ushqimit?

Nga Iva Tiço/Nuk është folur kurrë më shumë sesa sot për ushqimin. Dikur thoshim se italianët nuk durohen, teksa flasin e stërhollojnë deri edhe recetën e bukës me vaj e me kripë, sot jemi bërë me keq sesa ata, bisedojmë mes shoqesh edhe kur dalim për vrap a për ecje madje, ndjekim faqe gatimi, komentojmë tek të njohur, këshillojmë  edhe të panjohur se si të hanë e pse të hamë, si të shëndoshemi apo si të  dobësohemi?

Por sa kot, gati-gati edhe qesharake të duken të gjitha, teksa sheh lajme si i sotmi, ku një sasi e jashtëzakonshme mishi dhe qoftesh të pagatuara janë sekuestruar brenda një lokali të licensuar për lojëra fati. Shto pastaj lajmin e disa ditëve më parë për frigoriferët e Jalës, lajmin tjetër për dasmorët e helmuar në një lokal në Elbasan, që të të lindë ideja: mos jemi duke jetuar brenda një flluske, ku mendojmë se po jetojmë bukur dhe qenkemi bërë fiks si italianët, ndërkohë që jetojmë në këtë vendin ku nuk është e largët koha e prodhimit të alkoolit nëpër bodrume, shitjes së mishit të maces për lepur e ku ende nuk kemi as minimumin e sigurisë se çfarë ushqimesh shpiem çdo ditë në shtëpi, si janë kuzhinat ku na gatuajnë kur ushqehemi jashtë shtëpisë dhe a po e blejmë me lekë helmimin tonë? Sepse jo të gjithë e kanë luksin të blejnë në supermarketet dhe dyqanet e mëdha të certifikuara (megjithë thashethemet për shitje ushqimesh të skaduara që qarkullojnë edhe për ato), shumëkush do blejë edhe në rrugë dhe jo të gjithë kanë luksin të hanë restoranteve të mirë të Tiranës, madje edhe kur e ke këtë luks, tundimi i aromës së qofteve mbi një skarë është tmerrësisht joshës?

Aksionet e kontrollit të AKU-së janë një lajm i mirë, por janë dhe një alarm më shumë: kur kapen ditën me diell gjëra kaq skandaloze, çfarë mund të ketë nën rrogoz?! Sepse Autoriteti ynë i Kontrollit të Ushqimit, me një histori më pak sesa dhjetëvjeçare krijimi e që ka mbledhur në një  institucion të vetëm një burrokraci lejesh, certifikatash dhe kontrollesh, që më parë ishin të shpërndarë sa tek pushteti qendror ashtu dhe tek ai lokal, ende nuk ka as tagër dhe as takat që të bëjë t?u dridhen leqet e këmbëve atyre qindra tregtarucëve të vegjël, por edhe ndonjë të madhi, që tregtinë e ushqimit nuk e konsideron si diçka të rëndësisë së veçantë. Sepse megjithë Autoritetin e ngritur mbi një legjislacion modern, ende nuk është vënë vëmendja e duhur tek fuqizimi i tij, tek ashpërsimi i masave mbi shkelësit, tek investimi në më shumë kontrolle, më shumë inspektorë dhe mbi të gjitha tek krijimi i një fryme besimi tek konsumatori, që ne nuk jemi në dorë të Zotit kur vjen puna tek ushqimet, por se dora e AKU-së, në këtë rast është dora e Zotit. Dhe kjo nuk bëhet as me fjalë, as me aksione mediatike dhe as me fatin e mbërritjes së ndonjë telefonate që fukson se ku ka shkelje? Kjo bëhet vetëm me vullnet serioz, me programe serioze dhe investime serioze për të kontrolluar gjithçka, edhe cerifikatat. Deri sa të bëhet kjo, nëse do të bëhet ndonjëherë, jemi vetëm në dorë të Zotit, ndërkohë që deri në publikimin e lajmit tjetër do të kemi harruar dhe do vijojmë të jetojmë brenda flluskës sonë  të lumturisë dhe mendjelehtësisë, ku  merremi me receta e me kalori, duke bërë si italianët që e kanë në terezi, pa e ditur ndërkohë se çfarë kemi vërtet në pjatë, nëse ushqimi, dashuria jonë më e madhe e momentit është dhe armiku jonë më i madh.

Ky post është publikuar në Tiranapost.al dhe është realizuar nga Iva Tiço.

Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]