Ne që vdesim për "fake", por nuk ia përtojmë Rudinës dhe Bietës
Që një djalë i ri që bën montazhe pikturash dhe do të hiqet si i suksesshëm të arrijë të dalë në një televizion kombëtar, për mua nuk është ndonjë çudi e madhe, ndryshe nga sa po bëhet nami këto ditë. Në të dy emisonet e pasdites në Klan dhe Top Channel, çdo ditë, respektivisht në tre pjesë emisoni kanë pasur shansin të kenë promovuar punët e tyre me dhjetëra djem e vajza të reja, burra e gra, të sukseshëm jashtë vendit apo dhe edhe thjesht në komunitetin e tyre. Edlir Reka është thjesht një prej tyre dhe të dyja prezantuese-autoret thjesht i kanë dhënë mundësinë. Të dyja kanë stafe gazetarësh, nga sa i njoh të dyja, stafe mjaft të përkushtuar, që ropaten nga mëngjesi në darkë për të kontaktuar të ftuarit, për të xhiruar me orë të tëra inserte e për t’i montuar që të shfaqin gjëra të bukura në 30 sekonda kohë, që durojnë kapriço VIP-ash dhe koordinojnë deri dhe orare grimi e makinash, për të sjellë e për të marrë në studio ata që dalin në ekran… Në botë për një punë të tillë ka me dhjetëra njerëz, këtu janë thjesht një grusht, gjithsesi luks që të tjera emisone shqiptare nuk e kanë, por që vajzat e pasdites e meritojnë plotësisht për aq sa bëjnë emisione të sukseshme, të ndjekura, që kanë reklamues. Dhe në ethet e konkurrencës, ngutit për të pasur të parët gjërat më interesante, me raste dhe nën stresin e mbushjes së orarit, ndodh që djem si Edliri, që pasi kanë ndërtuar një sukses virtual në rrjetet sociale, t’ia dalin të ulen në karrigen e të ftuarit. Në gjithë botën mediat e mëdha bien hera herës viktima të fake news. Nuk është ndonjë hata e madhe që u gënjyen edhe vajzat tona.
Ajo që nuk më zhgënjeu edhe kësaj radhe, ishte gjyqi në rrjet. Kur vjen puna për këtë, mos të shkaftë sadopak këmba, se ne shqiptarët jemi gati të hidhemi në sulm e të të vëmë përfund. I përfytyroj këta komentuesit duke ndenjur gjithë ditën gati për të kapur ndonjë gabim a për lexuar diçka të tillë, që pastaj të nisin të shajnë me rrënjë e me degë, për t’u ndjerë më mirë me jetën e tyre. Zilia e mbledhur përbrenda më në fund shfryhet: “Vajza e ekranit, ajo e paarritshmja, ajo që shohim çdo pasdite, ajo e veshura bukur, me flokët e shndritshme nën drita vezulluese, më në fund ka bërë një gabim dhe mund ta shajmë, shpotisim, linçojmë, ta rrëzojmë nga froni, ta bëjmë një si ne”. Merremi me një rast banal dhe këtë e bëjnë jo vetëm anonimët e rrjetit, por edhe kolegët e zellshëm. Një furi titujsh dhe kolazhe fotosh të moderatoreve që flasin për këtë “turp”, a thua se ndërkohë që të gjithë bashkë nuk po jetojmë në këtë vendin ku gjërat "fake", të pavërteta, të shtirura, të sajuara, të stisura, vlerësohen dhe adhurohen më shumë sesa çdo gjë e vërtetë. Na bën përshtypje “gafa” e pafajshme e dy vajzave të ekranit, por jo diplomat e blera dhe plagjaturat e doktoraturave të politikanëve, që në fund të fundit, po ta mendosh mirë, as nuk kanë për çfarë t’uu hyjnë në punë se nuk është se respektohen më shumë se kanë tituj shkencorë. Jemi ai vendi ku fjalët “filani është p.. s’ome apo zog k…”, janë komplimente, tregojnë zotësi. Jemi ai vendi ku kemi VIP-a Instagrami për dendësi popullsie më shumë se çdo vend tjetër, modele “të mirënjohura”, këngëtarë me miliona klikime. Jemi vendi ku çdo vajzë që merr tre lecka në një dyqan dhe bën dy foto është blogere e famshme dhe shembull frymëzimi për qindra të tjera, ku qindra vajza blejnë çanta “fake” që të ngjajnë si të pasura, ku vajzat nuk krenohen se të bijat e kujt janë por se çfarë prodhimi e ka “Range”-in i dashuri. Jemi vendi ku çdo njeri që boton fraza pahçavure, që askush nuk ua gjen kuptimin, është gjeni letërsie. Jemi vendi ku çdo patetik, bosh, populist, respektohet si gjeni, ku pamja është gjithçka dhe brendia asgjë, ku regjisoret në ekran ende vrasin mendjen se me cilën kamera do kapin shkëlqimin e vathit, por nuk u intereson fare ç‘po llomotit prezantuesja. Jemi vendi që trajtojmë me respekt këdo që vjen nga jashtë, por nuk u hedhim sytë atyre që bëjnë betejat e përditshme këtu brenda. Jemi vendi që vdes të lexojë tituj me shqiptarë që po bëjnë namin në botë, që po mrekullojnë gjithë globin me artin e tyre, që nxjerrim gjyshe apo xhaxhallarë me gjak shqiptar në personazhe që nuk kanë asnjë lidhje afektive me Shqipërinë dhe që i duam dhe i vlerësojmë njerëzit tanë vetëm pasi na i vlerëson bota. Jemi vendi që i bën duva gjithë ditën parave të prositucionit dhe ende vrasim për nder. Dhe pasi kemi ngritur gjithë ekzistencën tonë mbi këtë “fake” të madh, bëjmë dhe moralistin. Këto ditë dënuam me gjyq kolektiv dy prezantueset e pasdites, thjesht sepse një nga mijëra personazhet "fake" arriti të shkonte në studion e tyre. Shpresoj të ndihen të gjithë më mirë, më të çliruar dhe të vijojnë të jetojnë të lumtur në vendin këtë vendin tonë “fake”.