
Nga Iva Tiço/ S’di pse në këtë vend ndër shumë nonsense dhe gjëra qesharake që prodhohen çdo ditë, edhe përkimet sikur kanë një sens ironie e fataliteti bashkë, sikur duan të të kthejnë me këmbë në tokë nëse merr aq për kot sa të jetosh në një flluskë të mbrojtur mirëqenieje e lumturie, sikur të të thonë: “Ej, të duket se je në një vend normal? Hap sytë e ndërgjegjësohu, je në Shqipëri”. Ja, për shembull, pak ditë më parë ishte Dita Botërore e Vajzave: fiks dhjetë minuta sapo hodha në rrjet një shkrim për këtë ditë, doli lajmi se në Shqipëri ishte gjetur e vrarë një e mitur 13-vjeçare. Apo ndërsa sot, 16 tetori, është dita Botërore e Ushqimit, dje një kronikë e Televizionit Scan dhe që mbeti si lajm periferik vetëm në pak portale, dha lajmin se Shqipëria ka humbur ndjeshëm pozicione në indeksin global të urisë. Sipas këtij lajmi, në raportin e këtij viti, Shqipëria renditet e 53-ta në botë, ndër 119-të shtete, ndërkohë që një vit më parë mbante vendin e 48-të dhe më keq akoma: rënia e Shqipërisë në këtë renditje nuk është rrjedhojë e përmirësimit të të tjerëve, por e përkeqësimit në vendin tonë dhe se ky është niveli më i ulët historik, shqiptarët sot ushqehen më keq se në vitin 2000.
Në gusht të po këtij viti gjithashtu 38% e shqiptarëve të pyetur në anketën e cilësisë së jetës së Komisionit Europian, thanë se kanë blerë më pak fruta dhe perime për të kursyer para dhe 46% e tyre kishin blerë më pak mish nga sa u nevojitej, për të njëjtën arsye. Përqindja e të anketuarve që iu përgjigjën me “po” pyetjes nëse kishin blerë më pak perime dhe fruta por edhe mish ishte më e larta nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian, por edhe nga vendet kandidate për t'u anëtarësuar.
Nuk jemi pra një vend ku mund të bëhen normalisht e pa u ndjerë në faj festa ushqimi, edhe pse për ushqimin flasim gjithmonë e më shumë çdo ditë. Paradoksalisht, megjithë statistikat e botuara, jemi ai vendi ku çdo i huaj që vjen, për punë a turizëm, e para gjë e mirë që pikas është pikërisht ushqimi, gatimi, shija. Jemi pra vendi më i uritur në Evropë, restorantet e të cilit janë parajsë për qiellzën e në shumë raste edhe për xhepin. Jemi vendi ku ka shumë të uritur, shumë skamje, që shihet vetëm në kronika speciale lajmesh dhe ku klikimet më të mëdha i marrin artikujt për jetesën e shëndetshme, dietat, recetat e gatimit. Jemi Shqipëria ku shumë familje blejnë ushqime me listë në dyqanet poshtë pallatit dhe ku përurimet e restoranteve të reja kthehen në festat më mondane të kryeqytetit. Jemi vendi ku po të mos më kujtonte kronika e djeshme në Scan, ndoshta dhe unë sot do ta kisha kujtuar këtë ditë me një shkrim për stilin e jetesës të shëndetshme apo do t'i isha bashkuar nismës botërore të Slow Food, që me anë nismës Food for Change Challenge propozon që të pranojmë të gjithë sfidën për një javë pa ngrënë mish, që të hamë vetëm prodhime lokale ose të mos shpërdorojmë ushqimin… Por në kohën kur “Poema e mjerimit” tingëllon ende aktuale edhe gati një shekull pasi është shkruar, çdo nismë, edhe si kjo e Slow Food, të duket sërish luks. Së paku këto tre ditët kur lajmi është i freskët… Sepse pas tre ditësh të uriturit do harrohen dhe do dalin në sipërfaqe vetëm kur të botohen të tjera statistika. Në këtë vendin tonë qesharak dhe me përkime me sens ironie, të uriturit janë lajm që nuk ka shumë jehonë.