Sa nje kafe nga Iva

Një erë e re për gratë po fryn dhe Golden Globes e dha leksionin

Një erë e re për gratë po fryn dhe Golden Globes e dha

Që nga kohët kur lulëzuan revistat e modës (përpara tyre quheshin thjesht revista për gra) e më tej kur vaniteti shpërtheu në rrjet dhe është në majën e vet në epokën e lavdishme të Instagramit, çdo ceremoni dhe ndarje çmimesh shoqërohet me artikuj kush veshi çfarë, si u veshën, kush më mirë dhe kush më keq, sa u kushtuan, si u kombinuan. Por ja që përtej vanitetit, për të dytin vit radhazi Golden Globe ka mundur të flasë për të tjera gjëra dhe ta kthejë vëmendjen e audiencës në botën femërore përtej rrobave. Nëse një vit më parë prej aty shpërtheu lëvizja #metoo, që i dha zë mijëra grave të abuzuara seksualisht në botë, këtë vit qe një fjalim i brishtë i aktores veterane Glenn Close, që përmes një dedikimi për nënën e saj, ngriti dhe njëherë pikëpyetjen për dilemën e madhe nëse jeta e një gruaje mund të quhet e përmbushur thjesht nëse ajo bën detyrën duke u përkujdesur për prindërit, bashkëshortin, fëmijët apo edhe duke ndjekur dhe përmbushur ëndrrat.

Nëse filmit ?Wife? iu deshën 14 vjet për t?u realizuar, aktores i mjaftuan 30 sekonda film për t?u gjendur në titujt e gjithë artikujve në botë. Jo thjesht për fitoren e Globit të Artë, jo sepse kishte mundur të fitonte çmimin ndërkohë që të gjithë prisnin fitoren e Lady Gaga-s, por sepse në atë skenë ku rëndom bëjnë lajm fustanet dhe kombinimet e tyre, ajo preku zemrat e miliona grave në botë, duke u bërë thirrje të ndjekin ëndrrat dhe ambiciet e tyre. ?Më vjen ndër mend ime më, e cila vuri mbi veten e vet tim atë gjatë gjithë jetës dhe tek të tetëdhjetat më tha: 'Më duket sikur nuk kam bërë asgjë në jetë'. Dhe kjo është kaq e padrejtë. Mësimi që kam nxënë nga kjo përvojë është që ne gratë jemi ato që përkujdesen. Vetëm kaq pritet prej nesh. Kemi fëmijë, kemi burra nëse kemi fat, ose kemi partnerë, cilindo. Por na duhet të përmbushemi. Duhet të ndjekim ëndrrat tona. Na duhet të themi, ?unë mund ta bëj këtë dhe duhet të më lejojnë ta bëj??.

Një deklaratë e tillë bën lajm edhe në Amerikë, në vendin e ndërtuar mbi parimin e ndjekjes së ëndrrave, pikërisht aty vijon të flitet për të drejtën e grave, për ndjekjen e ëndrrave përtej mëmësisë dhe përkujdesjes për familjen. Nuk jemi më në vitet kur gratë luftojnë për të drejtën e votës, as për barazinë mes gjinive, as për lirinë për të vendosur mbi trupin e vet, për abortin apo pilulat kontraceptive, për divorcin dhe shkollimin e punësimin. Sot këto arritje i marrim të gjitha për të mirëqena, kemi të drejtën të zgjedhim vetë nëse duam të jetojmë si gjyshet tona apo të bëhemi të zonjat e vetes, të flasim për feminizmin apo ta mallkojmë atë. Por së paku jemi të lira t?i bëjmë vetë zgjedhjet, por edhe t?i vëmë në dyshim ato dhe të themi "po sikur ta kisha bërë ndryshe?". Eshtë shekulli më i bukur në fakt për të qenë grua, të vetmet vite ku do të doja të jetoja, sepse ke mundësinë t?i bësh të gjitha, ose të mos bësh asgjë, të bësh gabime e t?ia nisësh nga e para sa herë të duash. Eshtë shekulli kur nuk është aspak sakrilegj të thuash me zë të lartë se të qenit nënë dhe kujdesja për familjen nuk është e vetmja gjë që të përmbush në jetë, por veç kësaj ka edhe qindra gjëra të tjera që mund të bëhen. Eshtë shekulli kur duatrokitesh kur e thua këtë. Është shekulli kur nuk mund të thuash që dyzet vjeç se jeta ime kaq e pat por ëndrrat e mia do t?i ndjekin fëmijët, por ke mundësinë t?i lësh fëmijët të ndërtojnë jetën e tyre dhe ti vetë të ndjekësh të tuat. Eshtë shekulli kur shkenca të lejon të bëhesh nënë në moshën kur dikur gratë bëheshin gjyshe, që të lejon të dukesh e re dhe e freskët sa më gjatë. Eshtë shekulli kur nuk ke përse të bësh si të tjerët, të ndjekësh normat e vëna nga të tjerët, por mund të çelësh rrugë të reja dhe të mos e vrasësh mendjen se si do të komentohesh. Eshtë shekulli që të lejon t?i ngresh ambiciet dhe ëndrrat tek retë, të provosh, t?ia dalësh dhe në fund të të gjithave, nëse i ke përmbushur të gjitha ç?ke dashur dhe sërish lumturinë më të madhe e gjen me të vërtetë tek shërbimi që u bën fëmijëve dhe familjes, e di që ke kaluar një jetë të përmbushur pa sikure, pa pendesa, pa zbrazëtira. Eshtë shekulli kur moda, veshjet, fustanet duket se janë Perëndia e re e megjithatë, bash në tempullin e tyre, gratë më me ndikim të planetit po nisin një erë të re femizmi, me kaq shumë feminilitet brenda tij. Nuk mund të kisha zgjedhur dot kohë më të mira për të jetuar.