Në rresht të Parë

I pari është buxheti, pastaj vijnë zgjedhjet

I pari është buxheti, pastaj vijnë zgjedhjet

A duhet shpenzuar më shumë se ç’e kemi mundësinë? Dhe si duhen bërë zgjedhjet e duhura, që të kemi dasmën e ëndrrave pa shpenzuar shuma që nuk i kemi menduar as në ëndërr? Tek shihja një ditë ulur në divan emisionin “Say yes to the dress”, një reality shumë i ngjashëm me ‘’Fustanin e ëndrrave’’, në të cilin bashkëpunoj me Orinda Hutën në "Vizion Plus", më bëri përshtypje diçka tek nuset e huaja: ndryshe nga nuset që më vizitojnë në përditshmërinë time në sallon, ato nuk e kishin fare problem t’i komunikonin personit që po i ndihmonte me zgjedhjen e fustanit, buxhetin. Ndërkohë që nuset tek ne (përjashto vajzat që martohen me të huaj), kur i drejton pyetjen në fjalë, të përgjigjen: ‘’Nuk e kam të përcaktuar.’’ ose: ‘’Nuk ka problem, sa të jetë!’’ ose “Dua me të bukurin, nuk ta them shifrën, se pastaj ti nuk do më tregosh ato fustanet e bukur”, etj., etj. Për të mos folur për rastet ku reagojnë jo mirë, sepse ti i ke pyetur për buxhetin. Përse tek ne është thuajse tabu kjo çështja e përcaktimit të buxhetit? Gjëja e parë që dikush duhet të përcaktojë në çdo blerje që bën është pikërisht buxheti. Po ju jap një shembull konkret (pa lidhje me produktin në fjalë, por krahasimi qëndron deri diku). Para disa ditësh shkova të blija një lavaman, në një showroom në dalje të Tiranës (humba 1 orë në trafik :-)). Aty më priti një vajzë e qeshur, të cilës i drejtova pyetjen “Sa kushtojnë lavamanët?”. Ajo m’u përgjigj menjëherë: “Po varet… fillojnë nga 500-4800 euro”. U shokova nga maksimumi që arrinte shifra për një lavaman (pasi nuk kisha informacion), por pa humbur kohë dhe pa bërë komente të tepërta, i komunikova që kisha nevojë për një lavaman që kushtonte 500 euro. Vajza më erdhi në ndihmë dhe unë bleva një lavaman 500 Euro, duke e detyruar veten të mos i shihja ato lavamanet e mrekullueshëm, fjala e fundit e design-it e që ishin pa diskutim mbi buxhetin që kisha ndërmend të shpenzoja. Në rastin e lavamanit unë ia dola të isha racionale, por nuk e di nëse do ia dilja po njësoj, po të bëhej fjalë për një fustan të mrekullueshëm mbrëmjeje, se tek e fundit edhe unë shqiptare jam. Edhe pse shembulli nuk ka fort lidhje, unë do të doja që vetë e para dhe më pas nuset që më vizitojnë, t’ia dilnim të bëheshim si ato nuset e Perëndimit, të cilat buxhetin për fustanin e nusërisë e përcaktojnë në një tabelë të ftohtë exeli, pa u tunduar nga bukuria, që nuk ka fund kurrë... Pra, si t’ia dalim të shtrijmë këmbët sa kemi jorganin? Si të mundemi të mos tërhiqemi nga gjërat shumë të bukura dhe të kushtueshme? Mendoj se me disa këshilla mund t’ia dalim. Po ju rendis disa. Rregulli numër një: Mos abuzo me shprehjen ‘’Unë një herë martohem’’. Po ia the vetes këtë, nuk do arrish kurrë të hartosh një buxhet dhe aq më pak ta respektosh atë. Rri me këmbë në tokë Nëse në përditshmërinë tënde je një vajzë që vishesh me ZARA, mos bëj gabim të dashurohesh me një veshje nusërie nga Zuhair Murad e shokët e tij :). Tregohu e zgjuar. Nga stilistët e mëdhenj merr veç frymëzimin dhe konkretizoje në një fustan të ngjashëm, që mund ta përballosh. Prit Pasi ke parë atë lokacionin e mrekullueshëm, që duket i përkryer për dasmën tënde por kushton dyfishin e asaj që kishe menduar, jepi vetes pak ditë për të marrë një vendim përfundimtar. Sapo ke parë një fustan të mrekullueshëm që të ka lënë pa frymë dhe e ndjen, që nuk do të heqësh dot dorë prej tij? Përshendet me mirësjellje vajzat e shërbimit dhe kërko një natë kohë për t’u menduar. Kur të jesh në shtëpi, do të gjykosh me ftohtësi zgjedhjen tënde. Mbase do t’ia dalësh të shkurtosh disa shpenzime aty këtu, më pak të rëndësishme, vetëm që të arrish të kesh atë fustan ose atë lokacion që duket i përsosur për ty. Por kujdes: gjithmonë brenda buxhetit të përgjithshëm të një dasme. Ose pas një nate mund të zbulosh që gjithë entuziazmi i një ditë me parë është zhdukur si me magji dhe mund të rinisësh kërkimin më me qetësi. Pra, të presësh, vlen. Krijo një fond rezervë Në një buxhet duhet të planifikosh një fond rezervë, për të papriturat e shpenzimeve të një dasme. Fondi rezervë mund të jetë një shpëtim, por kujdes! Jo të shpërdorosh të gjithë fondin rezervë për fustanin. Përpiqu të mendosh që ky fond nuk ekziston, që ta përdorësh vetëm në situatë “emergjence”. Negocio Ne të sektorit jemi për të shitur, por në situata të caktuara mund të kemi hapësira që na e lejojnë një ulje, e cila, sado e vogël, mund të të bëjë punë. Fol hapur për buxhetin tënd me asistentet e shërbimit. Nga eksperienca ime, në të gjitha rastet që një kliente më ka komunikuar hapur mundësitë e saj, ajo ka marrë më shumë se ç'ka paguar. Këtë e them me bindje. Diskuto me menaxherin e lokacionit tënd të preferuar mbi shifrën që mund të paguash, mbase mund të të propozojë spostimin e datës tënde vetëm me 1 ditë (nga e shtuna në të premte ose të enjte) dhe çmimi për këtë ndryshim date mund të jetë më favorizues. Si themi ne në Shqipëri: lypja faqen e zezë ka, por pa gjë s’të lë :). Merr pushim Nëse vërtet të duket se shpenzimet kanë marrë për kot dhe nuk po e menaxhon dot më situatën, merr ca ditë pushim nga përgatitjet e dasmës. Për 10 ditë mos bëj asgjë që ka lidhje me dasmën dhe mos mendo per të. Kur ta rishohësh situatën pas pushimit, çdo gjë mund të jetë me optimiste nga sa e mendoje. Lexohemi javën e ardhshme