Sa nje kafe nga Iva

Për pak bukuri (më shumë). Rrëfim nga sauna e ngrirjes

Për pak bukuri (më shumë). Rrëfim nga sauna e ngrirjes

Nga Iva Tiço/ Sot provova të futesha në ngrirje. Në minus 168 gradë celcius.

Ftesa më erdhi si pjesë e njërit nga filmat që pëlqej më shumë, “Vanilla Sky”, diçka që përmbante fjalën “cryo” brenda me një fotografi ku dilnin avuj… Por jo, “Cryomed Albania”, nuk kishte brenda asaj as realitete “ëndrrash të ndritshme”, as kishte të bënte me krijimin e ndonjë kloni, si libri i Michel Houellebecq “Ishulli i mundshëm”… Ishte një tjetër ftesë, të futesha në grirje për një trajtim bukurie.

“Cryomed” ishte pra një trajtim me teknologjinë e ftohjes. Dhe meqë kam atë maninë që çdo gjë që shoh në jetë, më ndërmend një film apo libër, kjo ishte shumë pranë filmit “Forever young”, filmi ku Mel Gibson futet në ngrirje për gati pesëdhjetë vjet, gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe zgjohet në vitet ’90, duke ruajtur pamjet e njëzeteca-vjeçarit.

Fantazitë e filmave gjithmonë e më shumë po bëhen realitet pra (të filloj të ëndërroj dhe për klonimin?!), edhe pse nuk qëndrova 50 vjet sa Mel Gibson, por pothuajse dy minuta. Për të qenë të saktë: një minutë e 56 sekonda, në një temperaturë që shkoi deri në minus 168 gradë. Kur e pashë në ekranin pas vetes, nuk u besova syve dhe nëse Anilda, zonja që drejton studion e “Free flow yoga”-s, ku tashmë gjendet dhe kjo aparatura që njihet si “sauna e akullt”, nuk do më vërtetonte me video dhe foto çdo sekondë që kisha kaluar aty brenda, nuk do ta kisha besuar që ajo kohë që fluturoi si një çast i vetëm, në të vërtetë zgjati dy minuta. Ishtë mëse e durueshme dhe besoj se herën e dytë dyminutëshin do ta bëj të plotë, ndërsa temperaturën shpresoj ta ul deri në minus 200 gradë celcius.

Efekti ndihej menjëherë: lëkura e trupit dukej kaq shumë e tonifikuar, sikur të kisha kaluar pesë orë në stërvitje intensive. Dhe meqë ra fjala tek stërvitja, teknika e saunës së akullt këshillohet sidomos pas stërvitjes, vrapit apo edhe palestrës: trajnierët profesionistë e përdorin këtë metodë prej kohësh, vetëm se në vend të pajisjes moderne kanë fuçitë e mbushura me akull, ku futen sportistët. Ndërsa ne “njerëzit normalë” mund të përfitojmë sa herë të duam nga efektet e mira që ky trajtim të dhuron: rrit energjinë, shëron dhimbjet e muskujve, përmirëson gjumin, përmirëson qarkullimin e gjakut, pra redukton dhe celulitin, tonifikon lëkurën, ndihmon në prodhimin e kolagjenit… Me pak fjalë, një saunë mirëqenieje dhe bukurie, ku për dy minuta herë pas here mund të futesh dhe përveçse të të duket vetja si në një film fantastiko – shkencor, të përfitosh kaq shumë… Në mos rininë e përjetshme, një jetë më të bukur e më të shëndetshme, për sa jemi në këtë tokë.