Nga Iva Tiço/Për pak bëhen dy vjet nga dita kur një gjykatëse u vra nga ish-i shoqi. Një nga shumë ngjarjet e ngjashme që vendi ynë i prodhon me shumicë, aq sa të na mësohen veshët e t’i trajtojmë si statistikë, ashtu si titujt e sotëm, që e klasifikonin vrasjen e një tjetër gruaje, si të gjashtën në një muaj. Ajo që e veçonte deri atë ditë këtë vrasje, nga dhjetëra të tilla që kisha dëgjuar, ishte fakti se gjithmonë kisha menduar se ato ndodhin normalisht në një shtresë të paarsimuar të popullsisë, mes atyre që rëndom i quajmë “të prapambeturit dhe injorantët”, zakonisht mes skamjes apo mes provincash, ku lufta për mbijetesë dhe krimet e pasionit janë të ndërthurura fort sa nuk dihet ku nis njëra e ku mbaron tjetra… Por nuk qe fakti që ishte vrarë një gjykatëse ai që më bëri të ndryshoj krejt mendim e të kuptoj që vrasësit e grave gjenden kudo, por qe një drekë të diele mes miqsh kur një nga të ftuarit e tavolinës, burri shumë shumë larg identikitit që kisha në mendje, teksa unë dhe një mikeshë diskutonim të tronditura, tha: “Ok, dakord, gruaja nuk vritet, por i shoqi nuk kishte dhe aq faj, se ajo gjithçka e kishte nga ai: shkollën, punën, jetën e mire. Nuk mund ta lësh burrin pasi t’i ka dhënë të gjitha…”. U desh që pas pak minutash të ndërronim temën e bisedës, sepse mund të shndërroheshim edhe ne në vrasëse potenciale, ndoshta… Eshtë tronditëse të zbulosh mënyrën se si mendojnë burrat shqiptarë. Gruaja është pronë. Jo në provincë. Por edhe në mes të Tiranës. Mund të jesh me ta, mund të arrish të trajtohesh si mbretëreshë në shtëpi, je nënë, je edhe partnere, por nuk mund të rritesh ndryshe prej tyre, nuk mund të nisësh të kërkosh më shumë, nuk mund të ëndërrosh një tjetër jetë, nuk mund të kërkosh të kthehesh e të jetosh vetëm, e pavarur prej tyre. Në rastin më të mirë thjesht ta nxijnë me gjykata, presion për të mos parë më fëmijët me sy, mospagesa detyrimesh. Në raste fatkeqe të vrasin dhe thonë “më vjen keq për fëmijët”. Jo për jetën që morën. Jo për atë që iku. Por për fëmijën, që ashtu si gruaja, konsiderohet prona e tyre.
Gruaja vritet lehtë shumë këtu. “E vrava se dyshoja se më tradhtonte”, tha burreci i radhës sot, pa u ftohur ende trupi i të ndjerës. Një vrasje e bërë me aq lehtësi sa sikur ta bënin të gjitha gratë që dyshojnë se tradhtohen, në Tiranë me siguri nuk do të ngelte këmbë burri në këmbë. Dhe nesër me siguri lajmi do harrohet, do ridalë më vonë si statistikë në vrasjen e radhës. Ndërkohë që as propozimi i për rivënien e dënimit me vdekje besoj nuk bën punë: një burrë i tillë, që vret për kaq gjë, veç për një dyshim, nuk ka aq mend sa të mendojë se çfarë do ndodhë me të ndërkohë që ka në dorë armën. Dukemi të pafuqishëm për ta ndalur, sepse nuk është as çështje varfërie, as zonash rurale apo skamjeje. Vrasësit e grave mund të gjenden fare mirë dhe në ambientet e mes njerëzve që jemi çdo ditë. Dhe do vijojnë të jenë për aq kohë sa në këtë vend djemtë edukohen së prapthi dhe nuk e kuptojnë se gruaja nuk është pronë. Ndodh ta kesh bashkudhëtare për disa kohë apo për gjithë jetën. Dhe nëse do të ikë, duhet ta lësh. Vetëm kjo është dashuri. Por këtu askush nuk flet për dashurinë. Aq më pak të ekukohen djemtë me këtë fjalë.