Sa nje kafe nga Iva

Sot rashë sërish në kurthin e Piter Panit

(Ca mendime shiu për të rriturit që mbërthehen tek fëmijëria dhe fëmijët e rritur të televizorit)

Sot rashë në kurthin e Piter Panit. Po kaloja buzë Parkut Rinia, ku në bordura shiten botime të vjetra, që u hedh gjithmonë një sy, sido që ta kem ditën, me shpresë të gjej libra që i ruaj në kujtime e që dikur kam harruar kujt ia kam huajtur e që ai dikush i është bindur ligjit të librave borxh e nuk ma ka kthyer kurrë…

Sot më kapën sytë “Piter Panin”, librin që do të kisha dashur ta lexoja kur isha e vogël, por që e lexova kur po i afrohesha të 15-ave,  atëherë kur shtëpia Botuese Naim Frashëri e nxori në treg me atë kopertinën blu që e pashë sot, e që më kishte munguar kushedi prej sa kohësh… Mbaj mend që për shumë kohë nuk ka qenë libri im i preferuar. Me një fëmijëri të kaluar në komunizëm, ku recitoje vjersha për Partinë dhe kur në tetëvjeçare të mësonin se si të bëjë analizën letrare të kryeveprës së realizmit socialist botëror “Si u kalit çeliku” dhe atij shqiptar “Përsëri në këmbë”, Çipolinoja, Rududuja, Karolina që shkonte në Hënë, rrëfenjat e Sheherezades, personazhet e trishtë të Andersenit dhe ca më vonë Tom Sojeri me Hak Finin bashkë me Xhim Kopsën, ishin të vetmit personazhe që të mbanin me një këmbë ende tek fëmijëria… Si e rritur pastaj nisa të dashurohem me Princin e Vogël dhe me Piter Panin,  sidomos me këtë të dytin, aq shumë, sa në një debat televiziv para disa kohësh e gjeta veten kur dikush përballë më thirri “Zonja Lulekëmborë”, pasi për shumë vite kam mbajtur në Facebook emrin e Zanës inatçore të Piter Panit (nga shpeshtësia e njerëzve që më kanë pyetur për domethënien e këtij emri, e kam kuptuar se sa pak popullor është ky personazh në Shqipëri).

A do kishte qenë më ndryshe fëmijëria ime nëse Princin e Vogël apo Piter Panin do t’i kisha njohur në moshën e duhur? Si zor, thjesht do të kisha pasur dy kënaqësi më pak, ndërsa në këtë moshë do t’i shijoja po njëlloj, siç i shijoj tani. Si zor se atëherë Princi i Vogël do më fuste në mendime, se si gjithë të rriturit kanë qenë njëherë fëmijë, por vetëm pak prej tyre e mbajnë mend. Me siguri mendimet e mia do t’i pushonte dhelpra që fliste. Edhe tek “Piter Pani”, më shumë se dramat e rritjes do më mbërthenin aventurat me piratë, Gremç dhe krokodilë… Sepse në fund të fundit, kur je fëmijë, gjithë ç‘do në jetë është vetëm të rritesh, të bëhesh i madh. Ka pastaj prindër që mundohen të të mbajnë sa më gjatë në atë botë fëmijërie, duke bërë çmos të të mbushin mendjen se Plaku i Vitit të Ri ia del që në 24 orë t’ju shpjerë lodra gjithë fëmijëve të mirë dhe se dhelprat apo lulet flasin si ti e si unë, veçse ne nuk i kuptojmë, siç ka dhe të tjerë prindër që i rrisin fëmijët me dëshirën që t’i shohin sa më shpejt të realizuar, duke bërë të gjitha gjërat, që ata vetë nuk kanë pasur mundësi t’i bënin. Askush nuk i gjykon dot: të gjithë mundohen të bëjnë vërtet më të mirën, siç dinë dhe duan. Kush i vë të flenë herët, kush i lë të shohin programe të rriturish me fëmijë, kush i detyron të lexojnë disa faqe libër duke u premtuar se do t’u japë për një orë tabletin si shpërblim, kush u jep celularin me të parën. Kush thotë se duhet të dalin me të gjitha dhjeta patjetër dhe kush i shpie fotografitë në konkurse faqesh në internet, për të marrë “like” dhe për të fituar çmime. Mund t’u japësh mend dhe këshilla sa të duash, por nuk mund t’u vësh në dyshim qëllimet e mira… Jo të gjithë kanë pasur mundësi të takojnë Piter Panin, as si fëmijë e as si të rritur. Eshtë një fat i madh ta takosh, kurdo qoftë!

Dhe ai që shohin të hënave nuk ka fare lidhje me të. Eshtë krejt e kundërta…

Unë sot pata fatin të bija vërtetë në kurthin e tij. Dhe sonte do ta lë dritaren të hapur, fare pak… Udhën pastaj e di, e dyta nga e djathta, pastaj drejt përpara deri në mëngjes.