Të bësh opozitë me shpresë tek shkarravinat


Nga Iva Tiço/Lajmi se nxënësve të fillores do t’u jepen librat shkollorë falas, ngado që ta kapësh, është një lajm i mirë. Edhe pse në mentalitetin shqiptar, ku shumica e prindërve nuk kursehen fare kur vjen puna tek shkolla, bëjnë akrobaci nga më të paimagjinueshmet e sakrifica nga më të mëdhatë, vetëm e vetëm që fëmijët të arsimohen sa më mirë dhe janë të gatshëm të heqin nga vetja shumë shpenzime, pa e menduar aspak kursimin në buxhetin e shkolllimit, në mos një ndihmë shumë e madhe është edhe një gjest, që tregon se së paku dikush po hedh sytë nga shkollat dhe po përpiqet që të tregojë se edhe qeveria po nis të jetë në të njëjtën gjatësi vale me prindërit dhe me dëshirën e tyre për arsimim.
Lajmi, në fakt, kishte dalë që në verë dhe u komentua goxha. Si çdo gjë në rrjetet sociale, edhe me komente negative, për shkak se në fund të vitit shkollor librat do dorëzohen dhe duhet të dorëzohen të pastër, të pagrisur dhe pa shkarravina, në mënyrë që vitin tjetër t’u ndahen nxënësve të tjerë. Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit tregonte se si mësuesit duhet të kujdesen që nxënësit t’i mirëmbajnë librat dhe saktësonte se ata do të përdoren për tre vjet. Dhe fiks në këtë pikë, ashtu si komentuesit e rëndomtë në rrjetet sociale, edhe opozita ka nxituar të reagojë duke e quajtur mashtrim të qeverisë ndarjen e librave falas dhe duke e vënë theksin tek penalitetet financiare në rast të dëmtimit të tyre. Në vazhdën e filozofisë së vet të të bërit opozitë, pa ndonjë plan konkret, por me çfarë t’i dalë rrugës, të njëjtën gjë ka bërë edhe me librin shkollor. Bashkëpërgjegjëse për cilësinë e arsimit dhe mosngritjen e formave të reja të edukimit, bashkëshkaktare gjithashtu për rrënimin e sistemit shkollor në këto 25 vitet e fundit si forcë qeverisëse, bashkëfajtore në shkatërrimin e teksteve shkollore dhe e bashkëpërfshirë në gjithë aferat që i kanë shoqëruar për vite me radhë këto botime, po aq bashkëfajtore dhe për rënien e cilësisë së arsimit publik dhe licencimin dhe moskotrollin e sistemit privat, Partia Demokratike ka gjetur dje qeverinë fajtore që nxënësve të fillores po u jep librat falas, me kusht që t’i kthejnë të padëmtuar në fund të vitit. Dhe e ka bërë këtë edhe pse vetë në asnjë program nuk ka përmendur ndarjen e librave shkollorë falas, edhe pse përfaqësuesit e saj i takojnë një brezi që e kanë kryer arsimin fillor diku nga fundit i viteve ’70 ose fillimi i viteve ’80, ku librat gjithashtu bliheshin me para dhe në fund të vitit të detyronin t’i dorëzoje, për të shpërndarë ata më të pastrit dhe të padëmtuarit për nxënësit që donin t’i merrnin falas dhe të tjerët për të ricikluar letrën… Por, mesa duket, kujtesa është e shkurtër në këtë pikë ose e gjendur pa kauza të vërteta dhe këtu PD-ja po përpiqet të bëjë punën e vet, opozitën me gjithçka që del përpara, e ndërgjegjshme edhe ajo vetë që kaloi dhe një ditë dhe bëri një deklaratë më shumë.
Përpos kësaj, lajmi i shpërndarjes së librave falas, ngado që ta kapësh, mbetet padyshim një lajm i mirë. Jo thjesht për ndihmën ekonomike për shumë familje, por bash edhe për këtë pikën që e paska me kaq merak opozita: po, librat ia vlen të mbahen pastër. Nuk ka pse të shkarraviten dhe të grisen dhe fëmijët mund ta bëjnë këtë shumë kollaj, nëse ua thua. Ne dikur dënoheshim në klasë e në shtëpi po t’i dëmtonim librat, madje edhe paguanim nëse shkatërronim librat që merrnim në përdorim në Bibliotekën Kombëtare dhe nuk na gjeti asgjë e keqe nga kjo. Përkundrazi, jemi brezi i fundit që ende çmon erën e letrës së sapodalë nga shtypi apo aromën e librave të vjetër. Po t’u jepnim pak dashuri nga kjo fëmijëve të sotëm, veç mirë do ishte./Tiranapost.al