Sa nje kafe nga Iva

Ti (s')ia dole këtë sezon televiziv

Ti (s')ia dole këtë sezon televiziv

Nga Iva Tiço/ Sipas reklamave nesër nis sezoni i ri televiziv. Përtej shumë të rejave, e nisim me një lajm të mirë: më në fund dy televizionet e mëdhenj, ata kombëtarë, për të parën herë premtojnë të sillen si të tillë. Pasi për vite me radhë gjatë orëve të paradites kanë transmetuar emisionet politike, apo telenovelat e një nate më parë, duke e nisur programacionin e vërtetë ditor në lajmet e orës 15:00 ose 15:30, mesa shihet nga reklamat, këtë vit lufta për shikueshmëri do shtrihet dhe në orët e paradites.

Në ?Klan? gjërat duken më të qarta: një spot përmbledhës tregon qartë se çfarë do ndodhë në një vit, kush konfirmohet dhe kush jo, kush hyn dhe kush del. Dikur mjaftonte të futeshe në një ekran dhe mund të hyje e mund të dilje sipas planeve e axhendës personale. Tashmë është bërë e vërtetë që gjithçka e vendos audienca, matjet, reklamat. Asnjë surprizë sigurisht nga fronti i Blendi Fevziut, Ardit Gjebresë, Rudina Magjistarit, Arian Çanit, Alketa Vejsiut, Aldon Lipes, Sajmirit dhe Gentit të ?Stopit?: mosndryshimi i ditëve, orareve është treguesi më i mirë se ia kanë dalë. Fytyrat e reja të këtij ekrani i pret një vit prove, si ai që nuk kanë kaluar dot ndoshta tre vajzat e bukura të sezonit të shkuar, Arjola, Nevina, Marina, por që ndoshta mund të shfaqen në këtë televizion edhe më vonë gjatë vitit. Turjan Hyskaj do e ketë këtë vitin e tij vendimtar: ka spostuar Ermal Mamaqin në programacion dhe do duhet që bashkë me aktorët, e bërë të njohur me ?Aparmamentin? në Vizion, të triumfojnë në audiencën e të shtunës në mbrëmje në shtëpinë e tyre më të madhe në ?Klan? e që quhet ?Duplex?. Ndërsa me një program të ri, të titulluar ?Familja?, të dielave do të duhet të thyejë mitin e ?Portokallisë?.

Në ?Top Channel?, gjërat janë më pak të qarta dhe sezoni, ashtu si dhe vitin e shkuar nuk nis i gjithi menjëherë. Nuk kemi lajme as nga Arbana Osmani dhe as nga Alban Dudushi dhe për aq kohë sa nuk thuhet gjë, me siguri për emisionet dhe sezonet e tyre nuk duhet të ketë ndyshuar asgjë. Pas kaq kohësh Eno Popi lë mëngjesin dhe bëhet njeri mbrëmjesh, ndërsa Bieta Sulo përveçse do provojë për të parën herë të mbajë peshën e pasdites, ka menduar që ta thyejë ?mallkimin? e këtij programi, që ka ndërruar kaq prezantuese, duke ndërruar dhe emrin e tij dhe duke sfiduar Rudina Magjistarin në të njëjtin orar. Nuk dihet nëse edhe Eni Vasili do të bëjë të njëjtën gjë me Blendi Fevziun apo do ketë orare të tjera. Nuk dihet as nëse emisioni i saj do të quhet ?Top Story?, si reklama që është shfaqur së fundmi në Top, për të treguar se edhe pa Sokol Ballën emisioni i tij politik mund të vazhdojë me emër tjetër që e drejton?

Përballja mes dy televizioneve kombëtare nis zyrtarisht nesër, ndërkohë që portalet, këto lëvizjet e gazetarëve dhe drejtuesve të spektakleve i kanë lajmet më të dashura. Ndoshta do të nisin që nesër edhe ato lajmet me çfarë tha njëri në një studio dhe çfarë tha tjetri, se dhe sikur kishim ngelur në një vend, me lajme se kush u zhvesh dhe jo në plazh? Ndërkohë që brenda ?Klan?-it nga sa premton reklama po thyhet edhe një tjetër tabu: ?House of Cards? dhe të tjera seriale amerikane premtojnë t?u japin fund mbizotërimit të serialeve turq. Edhe pse unë jam gati të vë bast se intrigat për pushtet në Shtëpinë e Bardhë do të kenë shikueshmëri shumë më të ulët sesa intrigat për pushtet në haremin e Sulltanit, do të duhet të shohim deri në fund se kush do ia dalë dhe kush jo.

*Ky post është publikuar në Tiranapost.al dhe është realizuar nga Iva Tiço.