Sa nje kafe nga Iva

Tre histori vere që më sollën mall për Nokian e vjetër

Tre histori vere që më sollën mall për Nokian e vjetër

Nga Iva Tiço/Një titull, që rrëfente se si është shtuar shitja e telefonëve të thjeshtë përkundrejt smartfonëve, nuk do më kishte shtyrë kurrë ta klikoja, nëse nuk do kishte qenë për një reflektim të gjatë që kam bërë këto ditë gushti, në lidhje me telefonin tim dhe mënyrën se si ne të gjithë e përdorim.

Në fillim ishte e njohura ime e vjetër që më bëri të mendoj se njerëzia në ditët e sotme, me shpikjen e gjithë këtyre chateve dhe rrjeteve sociale, ka hequr dorë nga gjithë etika e dikurshme, nga edukata, madje dhe nga njerzilliku. Mbrëmjen e parë që më nisi një deklaratë shtypi në Whatsapp, nuk u shqetësova dhe aq: mendova se e ka me shumë qejf punën që ka marrë përsipër dhe ka menduar që atë sukses të punë së saj ta ndajë me sa më shumë njerëz, edhe me gazetarët, që nuk kanë botuar kurrë komunikata të gatshme shtypi, ose dhe me ata që nuk kanë se ku t’i botojnë. Por, kur kjo nisi të bëhej e përhershme, madje edhe pas orës 11 të natës, e kuptova që duhej ta ndaloja. Një block të menjëhershëm numrit të saj dhe tani e njohura e dikurshme (për hir të së vërtetës mjaft e këndshme si njeri), nuk do ketë mundësi të më shkruajë më edhe për gjëra që vlejnë, as për punë të përbashkëta, as për biseda për qejf.

Njëkohësisht me mesazhet e saj invadente, më erdhi dhe një mesazh në inbox nga një i huaj, shok i një mikeshës sime. Pas një hyrjeje me shumë edukatë (jemi takuar disa herë, edhe në dreka të përbashkëta dhe sërish ai drejtohej me Ju), më pyeste nëse do isha në gusht në Tiranë, që ta takoja bashkë me disa bashkëpunëtorë të tij. I shkrova datat kur nuk do isha dhe i dhashë numrin e celularit. Pas pak m’u përgjigj po në inbox që do lidheshim ditën që unë do kthehesha… Pastaj qëlloi që atë ditë ai pa një foto timen në Instagram më shkroi nëse isha ende me pushime dhe kur i thashë që kisha vendosur të rrija dhe pak ditë më tepër, më uroi pushime të gëzuara dhe se do dëgjoheshim së shpejti… Për pak i thashë “më thuaj, se nuk ka problem, në dorë e kam telefonin…”. Pastaj e kuptova: ai po më respektonte mua, kohën time të lirë dhe pushimet e mia, edhe pse unë nuk i respektoja aspak, por nga mëngjesi në darkë kam qenë si në mes të Tiranës, si në mes të punës, duke shfletuar portale, duke ndjekur bisedat normale të punës në disa grupe Whatsappi, duke bërë llogje e muhabete në disa të tjera grupe, ku shpeshherë janë dhe të njëjtët njerëz dhe duke u stakuar nga ai dreq telefon maksimumi vetëm atë gjysmë-orësh kur bëj not, për t’u kthyer me vrap, duke fshirë në peshqir shpejt e shpejt gishtin për të parë sërish në ekran: kush të më ketë shkruar, ç‘të ketë ndodhur në botë këtë gjysmë orësh që e kam pasur kokën nën ujë... Dhe në fund fare pastaj asgjë nuk mbahet mend: as nga gjërat e punës, as nga artikujt e lexuar, as nga llogjet nëpër chat-e dhe madje as nga vetë pushimet.

Dhe në fund fare e kuptova që ashtu si unë, i lidhur pas celularit na qenka bërë edhe qeni im. Të vetmen ditë kur kam harruar telefonin në shtëpi dhe dal me të për ecjen e pasdites, sapo i afrohemi kryqëzimit tek Selvia ai nis të ngadalësojë hapat dhe të më shohë në fytyrë, ecën ngadalë me kokën pas, derisa kur arrijmë fiks tek stacioni i autobusit ndalon dhe nuk m’i shqit sytë. Tamam aty ndodhet një stacion pokemonësh, ku unë ndaloj çdo ditë, për t’u furnizuar me topa në lojën time viruale… (mund të jem e fundit në qytet që e luan ende, ndoshta, por tani që më kanë mbetur edhe nja dhjetë pa kapur, nuk mund të ndaloj dot).

E paskam tepruar vërtet! Vërtet mund të arrij të shmang bezdisjet e të tjerëve me ndonjë block të thjeshtë, po nga zakonet e mia kush do më shpëtojë?! Ndokush mund të thotë se e gjitha nuk është aspak e dëmshme, se rrjetet sociale apo komunikimi i shpejtë ka kaq shumë të mira, sa këto efekte anësore nuk kanë pikën e rëndësisë. Apo se në mijëvjeçarin e ri nuk mund të jetohet më si në shekullin e kaluar. Por ja që ky lajmi, se në një vit shitja e smartfonëve në botë është rritur me vetëm 2 për qind më shumë, ndërkohë që celularët normalë janë shitur 5 për qind më tepër sesa një vit më parë, tregon se ndoshta njerëzit kanë nisur të lodhen e t’u kthehen zakoneve të dikurshme, ta përdorin telefonin thjesht si një mjet për t’u lidhur me botën e jo si atë që të shkëput nga bota.

Të jetë Nokia ime e vjetër shpëtimi?