Unë e çlirova teta Lirinë, bëni dhe ju diçka për mamatë tuaja
Nga Iva Tiço/ Kur vjen puna tek telefonat celularë, mendoj që shitja e tyre nuk duhej të ishte kaq e thjeshtë sa është. Ja mjafton të shoh një nënë tek pallati përballë, që del çdo mëngjes në ballkon dhe flet me sa e ka në kokë me të bijën që është në Itali: nga bisedat e saj unë e di që e bija po specializohet për mjeke, se nuk ha mirë dhe e ëma është e shqetësuar edhe që është e lidhur me një djalë, i cili punon me turne dhe herë pas herë e lë vetëm. Nuk e përgjoj, as që më shkon mendja, po ja që ajo nëna nuk e di ndoshta, që edhe po foli me zë të ulët e rehatuar në divanin e saj, e bija do ta dëgjojë po aq mirë. Një kurs përdorimi dhe pajisja me një leje për mbajtje celularësh, ashtu si leja e drejtimit të automjeteve, do u bënte punë ndoshta shumë burrave e grave të këtij vendi, që kudo ku janë, me këdo që janë, nuk e kanë problem, por fap hapin telefonat dhe bërrtasin me sa e kanë në kokë. Apo të marrin disa leksione që t’u mësojnë opsionin e dridhjes, në vend të zileve gjithfarësh, apo tek e fundit zgjedhjen e ndonjë zileje që tringëllin thjesht, në vend të ndonjë muzike si “Naploni”, që para ca kohësh nisi të tringëllinte në xhepin e një zotërie, teksa ishim në varrimin e babait të një shoku: të gjithë mbajtëm një minutë heshtje, teksa pas ahengut tirons, zotëria në fjalë sqaroi me zë të lartë, atë që e kishte thirrur se nuk fliste dot në atë moment. sepse ishte në një varrim… “Eëëë??? Jo jo, hiç, pa rëndësi. Mos u bëj merak, mirë jemi të gjithë, ta them pastaj se tani nuk flas dot”… Epo mirë, nëse do kishte ndonjë polici telefonash, këtij do t’ia hiqte patentën përgjithmonë. Ose një polici e tillë nuk do rinovonte “lejet e zotërimit të telefonave” për zonjat e njëfarë moshe, që kanë rënë së fundmi në dashuri me internetin. Zakonisht kanë moshën e mamit tim, domethënë aty rrotull pensionit. Kanë zbuluar së fundmi se Facebook, që deri ca kohë më parë mund të përdorej për t’i shkruar djalit në një fotografi mes miqsh “të vdes mami sa i bukur je” apo vajzës me shoqet në klub “pse ke dalë pa kanatiere? Prapë e mërzite mamin”, na shfaqka në mur edhe portale me shumë lajme, ku mund të lexosh, komentosh, të të kthejnë përgjigje, të kthesh dhe ti, të bësh sherr a qoka e ç‘të kesh qejf, nga mëngjesi deri në darkë. Mund të japësh komente mbi shëndetësinë dhe ekonominë, historinë e letërsinë, mbi ndryshimet e qeverisë dhe nivelin e analizës të komentuesve tek Fevziu me të njëjtën lehtësi, që dikutohet për parashikimin e motit apo të yjeve dhe metodat tradicionale a kontemporane të përgatitjes së imam-bajalldisë. Këtë punën e rrjeteve sociale kjo moshë sidomos nuk po e mban fare. E në mungesë të një “policie”, që do të lejonte ose jo përdorimin e celularëve, personalisht, në shtëpinë tonë e kemi zgjidhur në mënyrë arbitrare: unë dhe im vëlla kemi vendosur ta mbajmë mamin larg nga gjithë kjo teknologji. Pasi i mësuam të mos e gradonte zërin në varësi të largësisë nga vinte telefonata, menduam që mesazhet e thjeshta janë shumë mirë për të, rrjetet sociale dhe interneti mund të shërbenin si shkaktare të helmimit të gjakut apo rritjes së tensionit. Nuk mund të imagjinoj dot sa do të shqetësohej, nëse do lexonte komentet negative për mua, sado t’ia mbushte mendjen vetes që rrjetet kështu janë, të mbushura me mllef dhe me urrejtje sërish do rrezikonte seriozisht shëndetin. Sepse vjen një moshë, kur duam s’duam, ne nisim të sillemi si prindër me prindërit tanë, përveç kujdesjes për shëndetin dhe ilaçet e tyre mirë është të kujdesemi edhe të marrim masat që të mos shqetësohen. E nëse heqja e rrjetit është për të mirën e tyre, atëherë pse jo?! Mami im që jeton në epokën e internetit, por që përdor celularin e thjeshtë nuk është se po humb ndonjë gjë të madhe: informohet nga lajmet në televizor, i sheh filmat aty, lexon libra, del për kafe me shoqet, merret me shtëpinë dhe i sheh fëmijët e saj, i puth a u merr erë sa të dojë, ballëpërballë, jo nëpërmjet fotove dhe filtrave të rrjetit. Nuk e ka gjetur ndonjë e keqe, që nuk komenton në rrjet: po të dojë të ankohet për qeverinë a për domatet që sikur s’kanë shije si njëherë e një kohë, mund ta bëjë këtë me shoqet e veta dhe s’ka pse ta shkruajë në ndonjë mur portali.
Në të njëjtën mënyrë, sikur të ishte mami im, mendova edhe për një zonjë, që komentonte çdo ditë në Tirana Post. E quanin Liri dhe ngaqë më shfaqej fytyra e saj kaq shpesh në “notifications”, më shpesh se çdo gjë, sapo e shihja me vete zura t’i thoja “teta Liria”. Shkruante teta Liria që në mëngjes, sa dilte horoskopi, na falënderonte kur shenjës së saj i binte fat i mirë, a thoshte ndonjë fjali përcjellëse, kur nuk ishte gjë dhe vazhdonte me këtë ritëm deri në mbrëmje. Lajm më lajm. Asnjë ditë pushim. Ditë them unë?! Asnjë lajm pushim! Poshtë çdo titulli, vinte komenti i teta Lirisë. Dhe i bënte qokat një më një, uroi Meganin për shtatëzaninë e parë, ngushëlloi dhe Mbretëreshën e Anglisë për vdekjen e qenit, këndej përgëzonte qeverinë për ndonjë punë, andej i jepte zemër opozitës… Nuk më kanë zënë sytë të atillë zell për të shkruar, edhe punë po ta kishte pasur, do shkiste njëherë, do bënte një hile. Por teta Liria jo, a thua se do t’i vinte ndokush gjobë, po të mos e bënte?! Derisa mendova: po sikur të ishte mami im? Dhe i bëra “ban”. Ata që punojnë në portale. do mendojnë që me siguri kjo nuk ka asnjë kuptim? Pse të humbësh një lexuese kaq të mirë? Pse të humbësh ca klikime të sigurta? Por ja që unë vendosa ta çliroj teta Lirinë nga barra e të shkruarit në rrjet. Sikur të mund ta bënim të gjithë, do kishim vërtetë më pak klikime e komente, por vërdallë do kishte më shumë gra me kohë të lire, për t’u marrë me shtëpitë e tyre, për të shijuar ditët e paqta të pensionit, për t’u marrë me fëmijët, për të djegur rehat qumështin sepse shohin telenovelën apo sepse komentojnë ngjarjet me fqinjën tek ballkoni ngjitur.
P.S. Pasi bllokova teta Lirien mora me gjysmë zëri në telefon Mira Kazhanin, drejtuesen e Tirana Post, që t’i shpjegoja se përse kisha abuzuar, në cilësinë e një prej editoreve të faqes dhe përse kisha vendosur me kokën time, që portali duhej të kishte minus këto klikime. “Mooos çfarë paske bërë!”, - më tha Mira, “mendo çik që kjo teta Liria ka dy ditë që vjen vërdallë me telefon në dorë dhe u thotë fëmijëve të vet: shikoni pak çfarë më ka telefoni, se pse nuk m’i merr komentet… Ia paske prishur terezinë fare teta Lirisë, ishalla nuk ka blerë telefon të ri”. Ja fiks kështu do të sillej dhe mami im. Me siguri edhe mami i Mirës :).